Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca deklaroi sot se mbështetja e drejtpërdrejtë për fermerët do të vazhdojë të rritet në muajt në vijim.

Gjatë fjalës së saj në raportimin për projektbuxhetin në Komisionin për Ekonominë dhe Financën, Krifca tha se buxheti i vitit 2023 prej 14.2 miliardë lekë, adreson fondet më të larta prej 8.7 miliardë lekësh në financimin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Krifca theksoi pikat kryesore ku fokusohet buxheti i vitit 2023.

Sipas saj, janë 7.2 miliardë lekë në mbështetje të bujqësisë ku përkatësisht 3 miliardë lekë shkojnë në mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve, me 1.98 miliardë lekë për masat mbështetëse në skemën kombëtare dhe 1,33 miliardë për naftën falas për bujqësinë.

Gjithashtu vuri në dukje ministrja Krifca, “buxhetit të drejtpërdrejtë për financimin e fermerëve i bashkohen edhe 9 miliardë lekë, që mundësohen përmes financimeve nga programi IPARD”.

Ministrja Krifca deklaroi se Skema Kombëtare e mbështetjes së fermerëve do të ketë në fokus blegtorinë (lopët e qumështit dhe bagëtitë e imta), bletarinë, zvogëlimin e kostove të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të inputeve bujqësore dhe naftës, mbështetjen për prodhimin organik dhe certifikimet e produkteve etj. Kompozimi i skemës kombëtare do të synojë të ruajë qëndrueshmërinë e sektorit, parë edhe në këndvështrimin e sigurimit të ushqimit, por edhe mbështetjen për eksportet e produkteve.

“Ndërsa skemës së naftës falas për bujqësinë do të vijojë të ulë kostot e prodhimit për fermerët tanë”, tha ministrja Krifca.