Kryeministri Edi Rama ka vënë fokusin e fjalës së tij tek kriza energjetike në mbledhjen e përbashkët që po mbahet me qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Rama tha se duhet të jenë më kërkes kundrejt Bashkimit Europian sa i takon mbështetjes për krizën energjetike. Kryeministri theksoi se fondet e alokuara nga BE për Ballkanin janë pjesë e fondit të përvitshëm të IPA, prandaj sipas Ramës nuk mund të gëzohen me kaq.

“Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar se si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe për të projektuar një të ardhme e cila të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe sesa hapësira jonë e përveçme gjeografike, kemi parë rezultate të mira nga marrëveshjet të bërë në kuadër të Ballkanit të hapur,. Do vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur të procesit të Berlinit, nisma pjesë të njëra tjetrës, jo si përjashtuese të njëra tjetrës. Mbështetja e marrë nga BE për buxhetet tona për përballimin e krizës është lajmi mirë, por nga ana tjetër nëse mbajmë parasysh se ato fonde janë një rialokim i fondeve IPA, duhet të jemi shumë më kërkues nga BE dhe nuk mund të mjaftohemi apo gëzohemi me këtë hap i cili është një hap i madh po të krahasohemi me momentet tragjike të pandemisë kur u lamë krejtësisht vetëm nga mundësia për të marrë vaksinat në fazën e parë. Është një hap gjysmak po të shikojmë se çfarë kemi nevojë dhe jo vetëm se çfarë mund të marrim, por edhe çfarë mund të japim për këtë komunitet”, tha Rama.