Detaje të reja në lidhje me arrestimin e 50-vjeçarit Xherxh Laçi, i cilësuar nga policia si radikalist. Gjatë marrjes në pyetje, Laçi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij, si dhe dy djemtë, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. 50-vjeçari Laçi ka dëshmuar para oficerëve të policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.

Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht. Tashmë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi. Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën Penale të Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Ai kishte ngujuar bashkëshorten e tij për 6 vite me radhë në zonën e “5 Majit” në Tiranë. Prej 1 viti, 50-vjeçari kishte ngujuar edhe dy fëmijët e tij, të cilët nuk i kishte lënë të vazhdonin gjimnazin pasi kishin përfunduar shkollën 9-vjeçare. Arrestimi i tij u bë i mundur vetëm pas denoncimit të një prej familjarëve, ndonëse ata ishin në dijeni prej kohësh që e afërmja e tyre dhunohej nga 50-vjeçari. Vetë Laçi dilte nga shtëpia vetëm ditën e premte, pasi shkonte në xhami për t’u falur, ndërsa në momentin e arrestimit i janë gjetur edhe libra fetarë.

Ata ishin ne gjendje te vështirë ekonomike. Sipas fqinjëve ata nuk kishin paguar as faturat e energjisë elektrike, çka ka sjellë edhe ndërprerjen me furnizimin me energji nga ana e OSHEE. Ajo çfarë vihej re në banesë është se Laçi e kishte izoluar ballkonin me çarçafë, për të shmangur çdo kontakt të familjes me botën e jashtme.

Pas operacionit të zhvilluar në banesë janë gjetur dy thika, shkopinj druri dhe 700 fishekë të cilët i kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergji, nuk është krejtësisht emër i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në vitin 2013 pasi në të njëjtën zonë ku banon edhe sot qëlloi me breshëri kallashnikovi duke terrorizuar banorët përreth.