Rikthehet pas një shkëputjeje të detyruar për shkak të pandemisë, Tirana Street Food Festival – Festivali i ushqimit ambulant, në datat 23-29 Nëntor në Sheshin Italia pranë Stadiumit Air Albania, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Edhe këtë edicion festivali do të bëjë bashkë pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia ku në një hapësirë të dedikuar, të gjithë do të mund të provojnë specialitete shumë-etnike, të shijojnë atmosferën dhe të kalojnë një kohë ndryshe përgjatë fundjavës së gjatë të festave të Nëntorit.
Ushqimi ambulant apo “Street Food” siç është gjerësisht i njohur, është nga disa vite në vemendjen e të gjithëve. Nga shefa me yje Michelin që rikrijojnë pjata të përshtatshme për këtë zhanër, tek udhëtarët, turistët apo influencuesit në vizitat e tyre në tregjet e mëdha me ushqim rruge në të gjithë globin.
Po përse është kaq i famshëm? Dhe përse nuk duhet ngatërruar me ushqimin e shpejtë tipik, atë “Fast Food”.
Ndryshimi në të dy rastet qëndron tek tradita. Ushqimi i rrugës për një pjesë të mirë të globit është mënyrë jetese. Është ushqim i thjeshtë, me përbërës të freskët të vendit, të bazuar në traditë.
Ushqimi i shpejtë “Fast Food” merr sigurisht shkasë nga ushqimi i rrugës sepse është gjithashtu i shpejtë por në ndryshim nga Street Food, ai shpesh përdor ushqime të procesuara, të konservuara, që vijnë nga kushedi se ku dhe rikrijojnë një standard ushqimi gati artificial.
Ushqimi si një mjet zbulimi!
Çdo komb ka traditën, kulturën dhe tiparet e veta, dhe ushqimi është mënyra më e shijshme për të kuptuar më shumë nga historia e një vendi. Falë lëvizjeve shumë më të lira të gjithë tanimë kanë shijuar sushi, takos apo specialitete të tjera nga cepa të tjerë të globit, por ka edhe shumë më tepër larmi, dinamizëm dhe dashuri për të zbuluar.
Ky festival që do të kthehet në një traditë të përvitshme, mbledh të apasionuarit ndaj ushqimit në një celebrim ndaj multikulturalizmit, dëshirës për të guxuar dhe udhëtuar në tradita të largëta.
Nga data 23-29 Nëntor, Sheshi Italia pranë Stadiumit Air Albania do të kthehet në një kënd shumë-ngjyrësh plot me shije, food trucks, pije e muzikë nga e gjithë bota.