Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se kolera po përhapet “me shpejtësi” në të gjithë Libanin.

Vendi i Lindjes së Mesme raportoi rastin e parë të kolerës që nga viti 1993 në tetor. Sëmundja tani është përhapur në çdo rajon të vendit, me 1,400 raste të dyshuara në total, sipas OBSH-së. Përhapja filloi në qytetin verior të Bebnine, ku janë gjetur shumica e rasteve. Aty është ngritur një spital fushor nga autoritetet.

Vendi aktualisht po kalon një krizë ekonomike, shoqëruar me paqëndrueshmëri politike. Presidenti Michel Aoun u largua nga posti i tij këtë javë, duke i dhënë fund mandatit të tij gjashtëvjeçar pa zëvendësim. Aktualisht është krijuar një qeveri e përkohshme.

Nga u përhap kolera?
Drejtori Rajonal i Emergjencave të OBSH-së, Rick Brennan tha se ka të ngjarë të ketë ardhur nga Siria, ku tani ka rreth 20,000 raste të dyshuara.

Bakteret e kolerës përhapen përmes ujit të kontaminuar, ushqimit ose ujërave të zeza. Ajo mbart rrezikun e nxjerrjes jashtë funksionit të veshkave që çon deri në vdekje, por është e trajtueshme me ilaçe. Ajo transmetohet përmes rrugës fekalo-orale, gjë që rrit rrezikun e një shpërthimi epidemie.

Numri i shpërthimeve në mbarë botën është rritur ndjeshëm këtë vit. Përmbytjet, thatësirat, konfliktet, migrimi dhe faktorë të tjerë që çojnë në uljen e aksesit në ujë të pastër qëndrojnë pas kësaj, thotë OBSH.

Për shkak të mungesës së furnizimit me vaksina, agjencia e OKB-së ka ndryshuar procedurën e rekomanduar të vaksinës nga dy doza në një dozë.

Libani mori grupin e parë të vaksinave të hënën. Dërgesa prej 13,000 dozash u dhurua kompania franceze e kujdesit shëndetësor Sanofi, dhe dorëzimi u lehtësua nga qeveria franceze. Ministri libanez i Shëndetësisë, Firass Abiad u tha gazetarëve vaksinimi do të luante “një rol thelbësor” në kufizimin e përhapjes së sëmundjes.

OBSH po ofron mbështetje për Libanin për personelin mjekësor, pajisjet dhe burimet laboratorike, vaksinat, si dhe ofron trajnime në klinika dhe spitale.