Nga Mero Baze/
Sali Berisha po përpiqet të “viktimizohet” duke e paraqitur lejen që i ka dhënë policia dhe bashkia për miting më 6 dhjetor, si refuzim. Në gjithë titujt e lajmeve, kryesisht në mediat afër Berishës, përmendet përditë fjala “refuzim” për leje proteste. Në të vërtetë, nuk ka asnjë refuzim për protestën e Berishës. As polica dhe as bashkia nuk kanë refuzuar në asnjë rast kërkesën për protestë. Vetëm i kanë shpjeguar se perimetri i sigurisë që krijohet për mbledhjen e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian, zë një territor të caktuar, konsultuar dhe me forcat e sigurisë ndërkombëtare. Pra thjeshti i është treguar se ku mund ta bëjnë protestën, por në asnjë rast nuk i është refuzuar. Përmendja përditë nga Berisha dhe shtypi i tij i togfjalëshit, “polica refuzon protestën”, duket se është e vetmja fjali ngushëlluese që i ka mbetur deri më 6 dhjetor. Por nga ana tjetër leja që polica i ka dhënë Berishës më 6 dhjetor, që ta bëjë ku të dëshirojë protestën, dhe përpjekja e tij për të mos u shprehur ku do ta bëjë, do të krijojë një problem të ri për të dhe opozitën.
Siç është bërë traditë rëndom, Berisha nuk organizon protesta spontane. Ai organizon protesta të shtrenjta, që shkojnë gati 1 milion euro, ku bie ne sy tribuna, fonia, transmetimi televiziv i kontrolluar, ndalimi i kamerave të televizioneve të tjera dhe në protestën e fundit, edhe ndalimi i fluturimit të dronëve privat mbi protestuesit.
Pra zhvillon protesta me regji.
Për të bërë një të tillë më 6 dhjetor, nevojitet që tribuna të montohet më 5 dhjetor, të merren masa për regjinë qendrore dhe dhjetëra detaje të tjera. Duke mos caktuar se ku do ta bëjë protestën, por duke folur për “refuzim proteste”, Berisha në të vërtetë është duke lajmëruar mos bërjen e protestës. Ngrefosja e tij se do thyejë kordonët e sigurisë së takimit ndërkombëtar, përveçse është qesharak, është një sinjal që ai nuk ka për të bërë fare protestë, pasi atij do t’i duhet që një ditë para të montojë tribunën, regjinë dhe gjithë gjërat e luksit që pati në protestën e fundit. Natyrisht polica i ka dhënë shumë opsione se ku do ta bëjë, por nëse ai e monton tribunën aty ku i thotë policia, apo akoma më keq, aty ku i thotë Erion Veliaj, do t’i quhet dorëzim para pushtetit. Nëse nuk e bën këtë, atëherë atij do t’i duhet të çajë kordonin e policisë më datë 6 dhjetor me tribunë në krah, gjë që është dhe e pamundur.
I vetmi skenar për të është që ta fillojë betejën që në datën 5 për të çuar tribunën para Kryeministrisë dhe pasi të dështojë, të ngelet pa tribunë për protestën e zakonshme në datë 6. Por kjo e ndan protstën në dy pjesë. Në datën 5 të bëjnë përleshjen dhe në datën 6 të bëjnë protestën. Kështu e ka dhe më të lehtë të justifikojë faktin që në datën 6 nuk do t’i shkojnë njerëz, pasi sipas tij, do jenë ndaluar në datën 5. Me këtë rast, edhe këta evropianët nuk shqetësohen në datën 6, dhe Berisha e ka një arsye përse nuk e përmbysi Edi Ramën edhe këtë herë.