Nga Ilir Metaj*
Një furi e tillë e mirëorkestruar debati opozitar e përpjekjesh analitike, kishte kohë pa u dëgjuar në këto anë.
Jam përpjekur ditët e fundit në fakt, ta ndjek sa kam patur mundësi nëpër portale e studio, e pastaj, të mundohesha të ndaja shapin nga sheqeri.
Po c’është kjo furi dhe çfarë kërkon të përfshijë me vete?
Një projekt gjigand zhvillimor në brigjet e Durrësit.
Një sipërfaqeje toke prej 800 ha, që shtrihet aty prej shekujsh, e që ka qenë aty edhe përpara 2013, po i tronditet kotësia e po i thuhet:
-Dil në shesh të mejdanit dhe trego çfarë mund të bësh për shqiptarët e tu!
-Dil nga gjumi letargjik shekullor dhe sill jetë për këtë qytet!
-Dil e sill begati për këtë vend, që ka ngecur në vagonin e gabuar të vegjetimit nga të mos bërit asgjë, në vagonin e pritjes dembele se mbase ndonjë gjë bie nga qielli.
Një projekt gjigand po i thotë këtyre 800 hektarëve tokë ranore, të dalë nga agonia e të sjellë shpresën për këtë popull të lodhur nga vetë shpresa.
Ky projekt gjigand, po trondit themelet e fukarallëkut që ende e mban për fyti këtë vend të bekuar nga Zoti.
Ky projekt, po trondit nga themelet të gjithë ata, që kanë 30 vjet duke i pirë gjakun këtij populli, për të mbajtur gjallë pushtetin e kalbëzuar nga mosha.
Ky projekt, po trondit si uragan alibinë e kësaj opozite, se në këtë vend nuk vlen të jetohet, se ky vend nuk bëhet dot.
Ky projekt pra, po i shkund te gjithë!
Ai i ka zënë të gjithë në befasi me atë që propozon, i ka gjetur të papërgatitur, se çfarë do bëjnë me veten e tyre paskëtaj,fiks njësoj si ato vajtojcat kur kuptojnë se fshati ka vec të rinj e ndaj me gjasë do mbeten pa punë.
Kjo, ishte një lëvizje shah-mat e qeverisë, ishte ndoshta asi nën mëngë i këtij mandati.
Ndaj, dhe reagimi është kaq gjithëpërfshirës, në cdo studio, në cdo ekran, në cdo portal, madje edhe atje ku nuk ta merrte mendja: tek Panairi i Librit.
Po i marr me radhë:
1-Do zhdukin portin mijëra vjeçar-duan e thonë.
Edhe pse e dinë mirë se porti mbetet aty, po aq madhështor, por me destinacion tjetër. Porti shekullor do zbukurohet nga dritat e qytetit dhe gëzimi i jetës, në vend që të ngryset nën vinçat e blozën e ngarkim shkarkimeve.
Sepse Durrësi duhet t’i hapi vend mikpritjes së turistëve nga e gjithë bota, per t’i marrë botës pjesën që i takon të pasurisë, të cilën Zoti vetë, ia ka caktuar në testament, qysh kur e vendosi mbi atë breg.
Sa për Portin e Mallrave, ai tashmë ka filluar të zhvendoset 3-4 milje më tutje, e do ndërtohet më i madh e më modern, atje, ku vetëm ndreq e nuk prish punë.
Kjo ka kohë që po projektohet, duke ndjekur modelet e gjithë qyteteve turistike në botë.
2-Qeveria po fal tokën- duan e thonë.
Dhe këtë e thonë pikërisht ata, që shpikën “Shqipëria 1 euro”, por që të vetmit blerës mbeten po vetë.
Ata, që falën gjithë industrinë e naftës nën tokë e mbi tokë, gjithë pasuritë minerare nga jugu në veri:
bakrin, kromin, celikun, hidrocentralet, lumenjtë.
Po kujt po ia fal tokën qeveria me këtë projekt, atë tokë që kurrkush nuk mundi t’a jetësojë deri më sot, kujt pra po ia fal ?
– Atyre që do zgjedhin të jenë banorë të Durresit, cilindo status të zgjedhin: rezident, turist, investitor, për aq kohë sa kjo ndodh mbi Durrës dhe mbetet në Durrës.
3-Po fiton më shumë arabi- duan e thonë.
Po c’është ky koncept komunist?! Po përse duhet të vijë dikush të derdhë energji, dije, ide, kohë, qoftë edhe një qindarkë pasuri, pa patur qëllimin universal të fitimit tregtar?!
Për filantropi? E kë ka nxjerrë në dritë filantropia?
Filantropia është vdekje për një vend, se nuk mbjell asnjë farë që mbin e shtohet.
Jep vetëm një pikë ujë në agoni, dhe pastaj largohet, që mos të të shohë kur të japësh shpirt.
Ndërsa investimi në një projekt biznesi e ka brenda farën, tokën dhe burimin e ujit për ta ushqyer derisa të bëhet pemë me kokrra.
Nëse dikush dëshiron të kontribuojë për një vend, nuk jep ndihmë financiare, por mbështet politika që nxisin zhvillim.
4-Është Alabbar s’është Alabbar- duan e thonë .
Kushedi sa janë gajasur me qesëndi biznesmenët dhe pronarët e holdingëve që kuptojnë shqip.
Se kush është në biznes, e di shumë mirë se c’do të thotë, të çelësh një shoqëri të re, për një projekt të ri.
Është praktika më e zakonshme, përmes të cilës cdo shoqëri dedikon dhe disiplinon energjitë e veta.
Sipërmarrja është në rradhë të parë ide dhe aftësi manaxhimi. Pa të, kapitali është thjesht një sasi parash që mund të zhduket.
Sipërmarrja është aftësia që ngre kapital dhe i jep atij arsye të angazhohet e të shtohet.
Më thoni një projekt në botë, që nuk bëhet me instrumenta borxhi, qoftë ai projekt i më të pasurit që ju njihni.
Sepse kjo është ADN e sipërmarrësit.
Dhe në këtë rast, sipërmarrja e ka emrin Alabbar, çfarëdo emri tregtar të ketë themeluar ai për idetë e veta. Dhe garancia është suksesi i tij, kudo ku e ka vendosur siglën e tij.
5-Të tjerat, pse aq përqind dhe jo kaq përqind, pse të ngrohtë e pse të ftohtë,pse sot dhe jo pasnesër, janë gjithmonë pyetje, për të cilat, secili e ka një përgjigje, gjithmonë të ndryshme nga e tjetrit. Quhet këndvështrim.
Po a mundet që modeli i zgjedhur i bashkëpunimit të ishte më i favorshëm për ne?
E zëmë se po.
Ama, për ta zbuluar do të duhej ai që quhet “debat konstruktiv” apo “propozim”.
Po këto janë fjalë të panjohura për opozitën tonë e, ndaj, qeveria socialiste nuk do djersijë ndonjëherë nga sikleti, që ato, do të duhej t’i shkaktonin.
Për fat të keq, duhet thënë.
Meqë jemi te projekti i Durresit, e meqë kryefjalë është bërë Dubai, nuk mund të mos e shfrytëzojmë edhe këtë për të treguar sa cekët noton opozita jonë.
Merreni për shembull pozitiv Dubain, zotërinj, jo per konotacion negativ.
Sepse Dubai është bërë parajsë për banorët e vetë. E dini se si?
-Në vitin 2002, qeveria e Dubait theu barrierat fetare duke lejuar cdo të huaj të investojë në biznesin e pasurive të paluajtshme, pavarësisht nga feja e tyre.
Pikërisht këtu filloi Bumi autentik.
Dhe, nëse mendoni se Dubai paskëtaj ka të bëjë vetëm me hotelet dhe bankat, e keni gabim.
Ai është kthyer në fuqi turistike, tregtare, financiare, logjistike dhe industriale.
Dhe Dubai, për rastësi, ka vetëm 3 milionë banorë.
Dhe në themel të ideimit të tij, jo për rastësi, është pikërisht sigla, Alabbar.
Unë, sot lutem që ky projekt t’ia dalë mbanë të vihet në jetë më shpejt sesa parashikimi.
Sido që të jetë kompozimi i tij në apartamente, hotele, njësi biznesi, shëtitore e, qershia mbi tortë, marina detare, një gjë do ta bëjë me siguri:
Ai do te asamblojë në një të vetme një nyjë zhvillimi, ku do të takohen të gjitha arteriet e ekonomisë shqiptare, e paskëtaj asgjë, nuk do të jetë më si më parë.
Një korsi e re po hapet për të ardhmen e Shqipërisë.
*Deputet i PS