“Eagle Hills merr dritën jeshile për mega-projektin në Shqipëri”.
Kështu shkruan “Arabian Business”, media më e njohur e botës së biznesit në Lindjen e Mesme.
“Mohamed Alabbar i është dhënë dritë jeshile për ndërtimin e njërës prej marinave më të mëdha për super-jahtet në Mesdhe. Marrëveshja prej 2.5 miliardë dollarësh, e mbështetur nga Grupi i Kompanive Eagle Hills, do të transformojë plotësisht vijën bregdetare shqiptare në qytetin e Durrësit”, shkruan kjo media.
“Është game-changer, diçka për të cilën kemi punuar shumë fort për një kohë të gjatë. Vërtetë nuk mendoj se do të gjeni një tjetër që t’i ngjajë”, u shpreh Alabbar.
E njohur si “Durrës Yachts and Marina”, projekti është modeluar si “një ndër qytetet e reja më të qëndrueshme, që bashkon praktikat miqësore ndaj mjedisit, hapësirat e gjelbërta dhe teknologjinë inteligjente për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe emetimet e dioksidit të karbonit”.
Zhvillimi do të akomodojë jahte dhe super-jahte deri në 120 metra, së bashku me hotele, rezidenca private, shëtitore, dyqane, restorante dhe hapësira argëtuese. Gjithashtu, do të përfshijë dhe terminalin e parë në Shqipëri për linjat ndërkombëtare të lundrimit.
Mbi 80,000 metra katrorë parqe dhe hapësira të lira po planifikohen gjithashtu, së bashku me 170 dyqane. Durrësi është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i themeluar në vitin 627 p.e.s.
“Një histori e pabesueshme në sfondin e atij që do të jetë një destinacion krejt i ri lukzos. Kemi realizuar shumë projekte ndër vite rreth botës, por nuk kam dyshim se pikërisht ky do jetë absolutisht më i miri ndër ta”, thotë Alabar. https://www.arabianbusiness.com/industries/travel-hospitality/exclusive-alabbar-launches-2-5bn-super-yacht-marina-in-mediterranean