Gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë firmosur këtë të enjte 3 marrëveshje të ndryshme si pjesë e samitit të “Procesit të Berlinit”. Bëhet fjalë për marrëveshje që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Në samitin e “Procesit të Berlinit” fokusi ka qenë kriza energjetike dhe mënyrat alternative që duhen gjetur për ta siguruar atë. Përveç krerëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor atje merr pjesë edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Mishel. Mikëpritës i këtij samiti është kancelari Olaf Scholz.

-Lëvizja e lirë brenda 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor: Pas nënshkrimit, mund të lëvizet vetëm me karta identiteti brenda rajonit. Aktualisht Shqipëria e ka këtë marrëveshje vetëm me 3 vendet që bëjnë pjesë në Ballkanin e Hapur, por tashmë kjo lëvizje do të mundësohet vetëm me karta identiteti edhe në 3 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

-Njohja e diplomave reciproke mes 6 vendeve të rajonit

-Punësimi i profesioneve të lira: Marrëveshja e tretë ka bëjë me disa profesione që janë kategorizuar si profesione të lira. Pas marrëveshjes, kjo kategori profesionistësh do të mund të punësohet lehtësisht në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor