Reagimi i parë nga socialistët për protestën e opozitës vjen nga kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, që i cilëson Sali Berishën dhe Ilir Metën si “bedela të Rusisë”. Ai thotë se Moska i kishte urdhëruar që të mos dënonin agresionin rus në Ukrainë (siç edhe nuk ndodhi), dhe për këtë Balla thotë se Meta dhe Berisha iu bindën urdhrit të Vladimir Putin.

“Aleanca e Rublave është përditë e më e lexueshme, çdo ditë e më e tërbuar, prej sonte edhe më e dëshpëruar! Rublat vazhdojnë të financojnë aleancën, njëlloj si në 2011 kur dhanë votën KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe të shkruar në Kremlin, që lemerisi botën me gjoja trajtime çnjerëzore dhe trafiqe organesh nga UÇK! Opozita e rublave është e zhytur thellë në thesin e parave ruse. Porosia për sot nga Moska ishte që të mos kishte asnjë fjalë apo zë kundër agresionit rus në Ukrahinë. Dhe bedelat e Putinit në Tiranë e zbatuan. Turp”, shkruan Taulant Balla.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që t’i kundërpërgjigjet me një postim që nuk ka asnjë lidhje me protestën. Ai ka publikuar disa foto nga tuneli i Llogarasë ku ka informuar mbi ecurinë e punimeve!

“Tuneli i Llogarasë ku tanimë janë hapur 4.5 nga 6 kilometrat e projektit që do ta afrojë bregun e Jonit me aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe rrisë ndjeshëm kuotat e industrisë shqiptare të turizmit”, shkruan Rama.