Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se i takon institucioneve, parlamenteve dhe qeverive të dy vendeve që të gjejnë një qasje të mirëmenduar për t’i hapur rrugë vendosjes aty ku duhet në libra dhe në hapësira të përbashkëta të 40 firmëtarëve të pavarësisë.
Në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, Rama tha se pa ata 40 burra mexhlisi i historisë sonë nuk dihet sesi do të ishte më pas dhe bashkëjetesa jonë nuk dihet se si do të vazhdonte më tutje.
“Ja ku jemi të gjithë bashkë si asnjëherë më parë, 110 vite më këtej të atij momenti të historisë sonë të përbashkët kur nga çdo cep i trevave shqiptare ishin shkulur drejt Vlorës të zgjedhurit e çdo nahijeje të katër vilajeteve të Shqipërisë të asaj kohe. Si nesër dhe 110 viteve më parë në Vlonë, në 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912 pas fjalëve që tha zoti kryetar Ismail Qemal Beu me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduen që Shqipëria më sot të mbahet më vehte, e lirë, e mosvarme”, tha Rama.
Ndërsa solli në vëmendje vargje nga Lasgush Poradeci mbi momentin e bashkimit të gjithë shqiptarëve, Rama u ndal historia jetësore e atyre 40 krijimtarëve të Pavarësisë, e cila sipas tij, “përshkohet nga funde tragjike, në kontrast ekstrem me shkëlqimin e artë të firmës së tyre në deklaratën e pavarësisë”.
“Edhe trajtimi i tyre i mëvonshëm, qoftë para dhe qoftë pas rënies së komunizmit është sa i përcaktuar politikisht, aq edhe i kufizuar sporadikisht. Ja le të marrim për shembull Dom Nikoll Kaçorrin, perlatin katolik firmëtar i pavarësisë, zëvendës kryeministri i parë i Shqipërisë në qeverinë e Ismail Qemalit. Ai vdiq në ekzil, pasi Haxhi Qamili i dogji qelën dhe ia bëri shkrumb e hi të gjithë bibliotekën”, tha ai.
Rama tha se po ashtu edhe Haxhi Vehbi Dibra, tjetër firmëtar i pavarësisë, kryetar i parë i Komunitetit Musliman të Shqipërisë i cili në kuvendin e Vlorës u shpreh për njësimin kombëtar sepse tha ai, “kristiani dhe muslimani janë vëllezër shqiptar dhe të pa ndarë”.
“Jorgji Karbunarën, mësuesin atdhetar përfaqësues i Beratit në kuvendin e Vlorës, i cili në moshë të thyer u torturua mizorisht nga mercenarët e Esat Pashë Toptanit, ndërsa sikur të mos mjaftonin ato tortura rebelët e Haxhi Qamilit hynë në Berat, e kapën, e nxorën zvarrë nëpër qytet dhe e rrahën me shkop për vdekje, por në kuptimin e vërtetë të fjalës, ai nuk u ngrit më. Qazim Kokoshin, firmëtarin e Vlorës i cili pasi u arrestua nga gestapoja dhe u internua në Itali nuk pati një fat ndryshe kur erdhi në Shqipëri, ku vdiq nga torturat në hetuesinë komuniste”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se “Shefqet Dajiut, delegatit të Elbasanit, sekretarit të kuvendit të Vlorës që shkroi deklaratën e pavarësisë në osmanisht, në ’45 i sekuestruan pasurinë dhe në ’46 i morën dhe jetën”.
“Zini Abaz Kaninën të cilin e sakatuan totalisht dhe e lanë të vdiste si qen në burg në 1951.
Xhelal Koprenckën, delegatin e Skraparit të cilin e vranë pabesisht në 1919, jo të huajt, shqiptarët. Apo Qemal Karaosmanin dhe Jani Mingën dy të tjerë firmtarë që vdiqën totalisht në vetmi dhe të rrënuar në çdo aspekt pas luftës. Nuk po shtyhem më tutje me këtë fill tragjik të fundjetës të firmëtarëve të pavarësisë që nga Luigj Gurakuqi i cili edhe pse qe në fakt ndër shumë të paktët që më vonë u nderuan, pasi u vra si tradhtar po nga dora e shqiptareve, ‘syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur, ky vigan liberator”, thotë Fan Noli në një poezi të jashtëzakonshme për Luigj Gurakuqin dhe deri tek Mit’hat Frasheri me të cilin ende sot, tani që flasim shumëkush nuk arrin dot të bëjë paqe këtu në Shqipëri të paktën, për t’i dhënë Çezarit atë që është e Çezarit dhe për t’i lënë Zotit atë që është e Zotit”, tha ai.