Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë më herët se sa vonë dhe Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur për t’u njohur ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë botërore.
Në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, Rama tha se “shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten”.
“Le t’i kthehemi me syrin e mendjes e jo vetëm, pamjes së sotme të Kosovës krahasuar me jo shumë vite më parë. Nuk besoj se do të ishet e ndershme që të shtyheshim shumë e të thoshim se ne e kishim imagjinuar se në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kosova do të ishte e lirë, sovrane e pavarësia e saj do të ishte përfundimtare”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “akoma më e prekshme dhe mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut”.
“Shumë më vonë pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Maqedenia e Veriut ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si provokim. Vendi ku nuk besoj se janë të shumtë ata që sot mund të kenë kurajon të thonë se e dinin se në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë do të kishte shqipen gjuhë zyrtare, pjesëmarrjen më të lartë të shqiptarëve në qeveri e institucione madje dhe kryetarin e Kuvendit shqiptar”, tha Rama.
Po ashtu, sipas tij, “nuk besoj se kanë qenë të shumtë ata që kanë paraparë që mund të vinte dita që Mali i Zi të kishte një kryeministër shqiptar si sot.
Patjetër, tha ai, “që të drejtat e shqiptarëve në tërësi janë shumë herë më të avancuara dhe të pranuara se sa kanë qenë”.