Edhe kësaj here, kryeministri Edi Rama ka qenë kritik ndaj mediave të cilat dezinformojnë publikun. Rama u shpreh se versioni që këto televizione shfaqin është gjysma e së vërtetës dhe se pjesa tjetër e medaljes rri në hije. Ndër të tjera kryeministri shtoi se këto bëhen për të shantazhuar qeverinë apo ministrat e tyre.
‘Natyrisht që ka probleme në Shqipëri, se kur del në fermer që nuk ka mundësi të shesë produktin ai nuk është aktor. Mirëpo kjo është gjysma e së vërtetës, andej kamera nuk i hedh sytë. Ka fermerë, që punojnë, eksportojnë. Ajo gënjeshtra e madhe gjysmë, përdoret për të de motivuar dynjanë. Pse? Sepse pronari i ekranit kërkon t’i bëjë shantazh qeverisë, ministrit x apo ministres y. Ju e patë rastin, sepse ishte dhe me letra. Ju e patë sesi një TV kombëtar i drejtohej AZHBR-së. (…)
Dhe mbasi nuk i merr paratë, ekrani kthehet në një pasqyrë shpifjesh dhe gënjeshtrash e gjysmë të vërtetash. Pse? Për të goditur një punë që ka patjetër problematikat e veta. Por që në fund të ditës është puna e mijëra njerëzve. Dhe çfarë mesazhi merr dikush që nuk jeton në fshat? Që në Shqipëri vetëm vidhet, jepet e merret me duar të pista. Që nuk ka shans që nuk punohet me krimin etj. Dhe pse bëhet kjo, për shantazh. Unë ju siguroj që në ekrane çdo ditë ka shantazhe të tilla/ I bëhet një ministri këtu një atje, për një kontratë aty një shtesë pa leje këtej,” tha Rama.