Kryeministri Edi Rama siguroi se Shqipëria do të ketë të paktën 4 porte turistike të klasit të parë në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin dhe dy porte moderne tregtare, në Vlorë dhe në Porto Romano.
Përmes një videoje ku risolli në vëmendje momente nga fjala e tij në Kuvend për projektin e Portit Turistik të Durrësit, Rama tha se “i është zotuar durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve se do të hapen 4 porta nga qielli dhe 4 nga deti, për ta kthyer Shqipërinë e 2030-s, nga një vend ku deri para disa vitesh turizmi mbahej vetëm me frymën patriotike të Kosovës motër, në një vend kampion të Ballkanit në turizëm”.
Dhe, tha ai, ” e kam marrë votën edhe për këtë zotim”.
Kryeministri tha në Kuvend se “porta kryesore natyrale nga deti për ta ngjitur Shqipërinë në atë majë është Durrësi, ndërsa vendi natyral për ta hapur atë portë është zemra e Durrësit ku s’mund të vazhdojë të tregtohet krom në natyrë dhe as të ngarkojnë shkarkojnë anijet e mallrave, apo të pozojnë përballë turistëve si gjirafat e ndonjë filmi post apokaliptik, vinçat e Kinostudios “Shqipëria e re””.
“Prandaj pikërisht aty duhet dhe aty do të transplantohet edhe një zemër e re për Durrësin turistik, ku do përdoren vetëm gjysma e 800 mijë metrave katrorë në dispozicion ndërkohë që gjysma tjetër, ajo që patë do të jetë hapësirë publike e transformuar rrënjësisht përfshirë dhe 700 metra plazh që sot as nuk ekziston fare”, theksoi Rama.
Kryeministri garantoi se Shqipëria 2030 do t’i ketë ato që pret qysh prej 1912-ës.
“Sepse do të ketë të paktën 4 porte turistike të klasit të parë. Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin. I vetmi që nuk është në fazë të avancuar është Shëngjini. Vlora është në ndërtim. Saranda është në ndërtim”, tha ai.
Po ashtu, Rama tha se vendi do të ketë dy porte moderne tregtare.
“Jo ky antiku juaj. Njëri në Vlorë është në ndërtim dhe tjetri atje në Porto Romano me rreze rajonale dhe me dy degëzime portesh të thata, një në Prishtinë dhe një në Strugë, po ua përsëris të konceptuar dhe të projektuar nga Royal Haskoning, jo nga studioja Gjirizi B, as punët e brendshme të ngatërruara, të shtrembra dhe të ndyra të atyre që i kanë sjellë në skenën e historisë, fatkeqësi të përbashkëta, nevoja e hijes së mallkimit që e përndjek këtë vend dhe as gojët që bëjnë të njëjtën punë ne nuk na pengojnë dot. Këtë duhet ta dëgjoni me vëmendje. Nuk keni asnjë shans të na pengoni dot”, tha ai.