Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, taksa e jashtëzakonshme që do t’u merret 3 prodhuesve të mëdhenj të energjisë do të kthehet direkt në mbështetje financiare për njerëzit më në nevojë.
Në aktivitetin e prezantimit të punëve të bashkisë Roskovec, Rama u shpreh se, “ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos të mbështesim ata që janë më në nevojë. Ne do vazhdojmë të bëjmë çmos ta mbajmë mburojën për të mos lejuar që çmimi i energjisë t’ju godasë.
“Ne do të bëjmë çmos që të shtojmë të ardhurat për pensionistët në radhë të parë. Për këtë arsye me gjithë vështirësinë buxhetore do t’i japim një paketë mbështetëse të gjithë pensionistëve. Për këtë arsye kemi vendosur që 3 prodhuesve të mëdhenj të energjisë, që fitojnë në mënyrë marramendëse për shkak që iu ra fati që u rrit çmimi t’iu vëmë një taksë të jashtëzakonshme. T’iu marrim një pjesë të atij fitimi dhe përsëri atë në radhë të parë do t’ia japim atyre që janë më në nevojë. Do ia shpërndajmë direkt, nuk do e çojmë as për rrugë, as për ura, pro do ta kthejmë direkt në mbështetje financiare direkte, për të përballuar inflacionin e luftës”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se do të rriten sërish pagat dhe paga minimale.
“Për këtë arsye do vazhdojmë të rrisim pagat. Për këtë arsye do ta rrisim përsëri pagën minimale, të cilën sot e kemi 340 mijë lekë. Do ta rrisim përsëri. Dhe kështu do të bëjmë gjithçka”, tha Rama.