Pas isopolifonisë, xhubleta është trashëgimia e radhës e jona jomateriale që merret në mbrojtje nga UNESCO. Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
Kryeministri Edi Rama uroi mëngjesin e sotëm me lajmin e shpalljes së Xhubletës Shqiptare trashëgimi kulturore botërore nga UNESCO bash në 110-vjetorin e Pavarësisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë dje në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, që u zhvillua në Marok.
Në video e publikuar nga Rama, Margariti e cilësoi një lajm të jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore dhe si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë.
“Nga kryeqendra e Marokut, Komuniteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, sapo miratoi në formë unanime shpalljen e xhubletës shqiptare dhe bërjen e saj , si pjesë të listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s”, tha Margariti.
Ministrja vuri në dukje se, “ky aset për vendin mund të humbiste. Por ne nuk e lejuam që xhubleta të mbetej thjeshtë një relike e të shkuarës dhe me përfshirjen në këtë listë ajo do të ketë jo vetëm mbështetjen e institucioneve tona por edhe atyre ndërkombëtare, që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri të gjithë njerëzimit”.
Ministrja tha se, kemi ardhur në këtë moment pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Xhubleta, veshje tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin.