Nga Mero Baze/
Qeveria po kryqëzon Sali Berishën pse ai ka njoftuar se do të organizojë një protestë më 6 dhjetor, kur në Tiranë do të jenë udhëheqësit kryesorë të Bashkimit Evropian. Po i vënë gjithë epitetet e mundshme, si antishqiptar dhe destabilizues dhe po përpiqen ta kompleksojnë atë me shpresë se e kanë kapur ngushtë.
Madje këtyre zërave iu janë bashkuar dhe deputetë të PD, që nuk janë në grupin e Sali Berishës.
Argumenti i tyre kryesor se protesta turpëron Shqipërinë në sytë e Bashkimit Evropian, në fakt nuk është e vërtetë. Protesta e shpëton Shqipërinë në sytë e udhëheqësve të Bashkimit Evropian.
Ata po vijnë në një vend demokratik, dhe jo në një vend të kontrolluar nga Qeveria dhe pushteti.
Ata po vijnë në një vend ku ka opozitë të pushtetit, por dhe opozitë të orientimit perëndimor të Shqipërisë. Kjo nuk mund të fshihet.
Sali Berisha është person “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe dhe thuajse i izoluar nga çdo vend i Bashkimit Evropian.
Protesta e tij e lehtëson Perëndimin, e bën të ndjehet i drejtë në vendimin ndaj tij dhe e zbukuron Shqipërinë si një vend që mbijeton mes të tjerash dhe përballë një opozite anti-perëndimore.
Dhe Qeveria e di këtë dhe ndjehet mirë. Madje, kurrë nuk e kam parë më të gëzuar se sa tek kjo përpjekja që bën si e “mërzitur” pse ai po proteston më 6 dhjetor.
Fakti që bën si e mërzitur, është një përpjekje për të mbajtur ndezur inatin e Sali Berishës që të mos të tërhiqet nga protesta, pasi do t’i thonë “u kompleksua nga Edi Rama”. Në fakt, e gjitha është një tallje me të.
Protesta e tij nuk e turpëron Shqipërinë as në aspektin politik. Të gjithë udhëheqësit e Bashkimit Evropian vijnë nga vende ku protestohet për çmimet, për krizën, për mjedisin, për luftën etj.
Në demokraci askush nuk ka turp nga protestat. Në demokraci turp është ndalimi i tyre.
Të presësh me protesta në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian do të thotë t’u dëshmosh atyre se kanë ardhur në një vend evropian, ku e drejta e secilit për të protestuar është e garantuar. Dhe e dikujt që ka vrarë njerëz kur kanë protestuar kundër tij.
Kjo e ndriçon Shqipërinë dhe e nxin fytyrën e vrasësit të protestuesve dhe minuesin e demokracisë në Shqipëri.
Ndaj dhe duket se Qeveria po ngulmon t’ia ngrejë nervat deri në qiell, që të mos të tërhiqet nga protesta më 6 dhjetor. Në këtë rast, Berisha po funksion si një agjent marketingu i Edi Ramës.
Dhe së fundmi, protesta nuk e turpëron Shqipërinë as nga pikëpamja gjeopolitike. Shqipëria është gjeopolitikisht në zonën e vendeve ku presioni rus për të krijuar një klimë kundër Perëndimit, është i madh.
Serbia është me zemër në Rusi dhe një sy drejt Perëndimit, Maqedonia e Veriut nën presionin e Rusisë për trazira, Kosova si një zonë eksperimentale e Rusisë për të imtuar konfliktin e Ukrainës, Mali i Zi nën presionin e përditshëm të destabilizimit nga forcat pro ruse, dhe si e tillë do të ishte një gënjeshtër që këtu të mos dilte dikush kundër Perëndimit.
Dhe nëse nuk do të dilte Berisha, duhet ta shpiknim dikë për t’u dukur të vërtete. Por ja që ky nuk të lë duarthatë. Duhet t’ia njohim këtë meritë. Ndaj i duhet dhënë fuqi dhe shpresë deri më 6 dhjetor, të mos tërhiqet.
Ndryshe do turpëroheshim vërtet përballë udhëheqësve të Bashkimit Evropin, pasi do t’u tregonim një Shqipëri të gënjeshtërt, pa fytyrën e sterosur të tij.