Për herë të parë, Shqipëria do të prezantohet me një seri të dedikuar në “Treasures of the World”, emisioni që ndiqet nga më shumë se 10 milionë njerëz në gjithë botën, drejtuar nga e mirënjohura Bettany Hughes.

Hughes vizitoi Shqipërinë, ndërsa u takua dhe me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Ajo i shpjegoi ministres se kishte vizituar Shqipërinë nga veriu në jug, duke ndarë dhe mbresat për këtë udhëtim.

“S’e fshihte aspak entuziazmin pas itinerarit nga veriu në jug duke shkelur bashkë me ekipin e saj pasuritë e natyrës, duke vizituar objektet e kultit e muzetë e kulturës, shijuar ushqimet, e në mendje i kishte ngelur kafeja plot dashuri që i bënin “nonat” shqiptare në bujtina përpara se të niste xhirimet. Tani mezi presim transmetimin, që do të jetë promovimi më i mirë për sezonin e ardhshëm turistik”, u shpreh ministrja Kumbaro në rrjetet sociale.

Industria e turizmit zë një vend të veçantë në ekonomi dhe është një burim i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

INSTAT publikoi së fundmi raportin mbi lëvizjen e shtetasve, sipas të cilit mbi 6.4 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në nëntëmujorin janar-shtator të këtij viti, duke shënuar rritje me 31.8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kur vendin tonë e vizituan 4.8 milionë shtetas të huaj.

Turizmi i parapandemisë, në 2019-ën vendosi rekordin e 6.4 milionë turistëve të huaj. Nga 840 struktura akomoduese në 2013-ën, në sistem me NIPT aktiv në fund të 2021-shit rezultojnë, rreth 2900 të tilla. Hotele, resorte, fshatra turistikë, bujtina, guest house, shtëpi pritëse, kategori të të gjitha llojeve të strukturave akomoduese nga bregdeti në thellësi të vendit.