Toka është e mbushur me vende të mrekullueshme, por ka ende shumë hapësira të largëta të globit që pak njerëz mund t’i vizitojnë. Në librin e tyre, Remote Experiences, fotografi David De Vleeschauwer dhe gazetarja Debbie Pappyn, përshkruajnë 12 territore të fshehura dhe të paeksploruara.

Një nga destinacionet e tilla më interesante është Poli i Veriut. Në pronësi të askujt, por që pretendohet nga shumë shtete, ky territor enigmatik është një shtresë akulli që lëviz vazhdimisht në mes të Oqeanit Arktik. Akullthyesi më i madh dhe më i fortë në botë me energji bërthamore, “50 Let Pobedy”, lundron çdo verë me 100 pasagjerë në bord, të gjithë të etur për të shkelur në veri të globit. Emri i anijes do të thotë në rusisht “50 Vjet fitore” dhe i referohet 50-vjetorit të triumfit të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Sapo mbërrijnë në “mbretërinë e arinjve polarë”, vizitorët përballen me një sërë rregullash të reja.