Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi, ku u takua me homologun e saj, Mevlüt Çavuşoğlu.
Pas takimit mes tyre, Xhaçka dhe Çavuşoğlu mbajtën deklaratë të përbashkët për mediet, duke u fokusuar në bashkëpunimin mes dy vendeve, zhvillimet rajonale dhe çështje të tjera.
“Shqiptarët dhe turqit ndajnë shumë histori, shumë miqësi, jo vetëm në nivel zyrtar, por mbi të gjitha në nivel njerëzor. Dhe është detyra jonë si diplomatë dhe politikanë të përkthejmë miqësinë, lidhjet mes njerëzve dhe vullnetin e mirë, në marrëdhënie, bashkëpunim dhe partneritet më të fortë”, u shpreh Xhaçka në nisje të fjalës së saj.
Ajo nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë duke u ndalur në vetëm dy nga rastet më të rëndësishme: ndihmën dhe mbështetjen bujare për rindërtimin tonë pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019 dhe ndihmën bujare gjatë pandemisë së COVID-19.
“Besoj që mund të krenohemi me atë që kemi arritur në këtë drejtim, sepse marrëdhëniet mes vendeve tona nuk kanë qenë kurrë më të forta. Dhe ndërsa përgatitemi për 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë, kemi shumë për të festuar, por kemi gjithashtu dhe shumë punë në përcaktimin e rrugës të së ardhmes”, vijoi ajo.
“Në këtë kontekst, ndava me kolegun tim dëshirën që të ngrihet një komision i përbashkët, i cili do të punojë për përgatitjen e një programi festiv që i shkon për shtat një marrëdhënie kaq të veçantë mes vendeve dhe popujve tanë”, tha kryediplomatja shqiptare.
Xhaçka informoi se takimi me homologun turk vjen edhe në kuadër të Grupit për Dialog Politik dhe shënon nisjen zyrtare të tij, siç parashikohet në Deklaratën për Partneritetin Strategjik.
“Në takimin tonë u ndalëm në përgatitjet për takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë të Këshillit të Bashkëpunimit, i cili do të drejtohet nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan”, detajoi ajo.
“Jemi shumë të kënaqur që intensifikimi i dialogut politik është shoqëruar me një rritje domethënëse të bashkëpunimit dypalësh. Një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh janë nënshkruar në një sërë fushash, që nga teknologjia, transporti dhe energjia, shëndetësia, turizmi, arsimi, kultura etj.”, tha Xhaçka.
“Sot diskutuam konkretisht mbi bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë. Vërejmë me kënaqësi se në vendin tonë ka një trend të vazhdueshëm, pozitiv dhe në rritje të investimeve turke. Aktualisht kemi arritur nivelin e 800 milionë dollarëve në vëllimin tregtar, që është shifër goxha domethënëse, por që e dimë se nuk pasqyron realisht potencialin që ekziston mes vendeve tona. Megjithatë, ne e shikojmë të ardhmen me optimizëm, të inkurajuar nga projektet të reja te investimeve, që tashmë janë duke u zhvilluar në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë”, vuri në dukje ajo.
Ndërkohë, Xhaçka tha se i kërkoi gjithashtu kolegut që të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave të brendshme në Turqi për të finalizuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit. “Ne i kemi përfunduar tashmë procedurat tona të brendshme”, tha ajo.
“Një pjesë e diskutimeve tona u fokusua në rajonin tonë, ku Turqia ka luajtur tradicionalisht një rol shumë të rëndësishëm, por ku Shqipëria është bërë një aktor gjithnjë e më proaktiv, duke kontribuar në stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Diskutova me kolegun tim shqetësimet tona se aktualisht rajoni i Ballkani Perëndimor po përballet me kërcënimet më serioze dhe të gjithanshme për stabilitetin e tij, që nga vitet 1990, si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për destabilitet në rajon, të ndikuara nga lufta e paligjshme dhe agresioni kundër Ukrainës.
Sulmi i fundit kibernetik kundër Shqipërisë i sponsorizuar nga Irani është gjithashtu një rikujtesë rreth kërcënimeve me të cilat po përballemi. Ne besojmë se ne duhet të punojmë të gjithë së bashku në rajon për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, të çfarëdo natyre qofshin ato, dhe në këtë aspekt Turqia ka një rol të rëndësishëm dhe të mirëpritur për të luajtur në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan”, deklaroi Xhaçka.
“I shpreha kolegut tim vlerësimin tonë të lartë për lobimin e fuqishëm të Turqisë për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe globale.
Diskutuam edhe për mënyrat se si mund të bashkëpunojmë për të mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke inkurajuar Byronë dhe Komitetin e Ministrave që të procedojnë sa më shpejt qe te jete e mundur kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Më vjen keq për faktin se Kosova është i vetmi shtet demokratik në Evropë që nuk është anëtar i Këshillit të Evropës.
Në kuadër të Këshillit të Evropës, folëm edhe për propozimin shqiptar për një rezolutë pasuese të raportit të Dick Marty mbi trafikimin e organeve njerëzore në territoret e Shqipërisë dhe Kosovës. Ne besojmë se e vërteta dhe llogaridhënia janë një parakusht absolut për arritjen e një pajtimi dhe stabiliteti të qëndrueshëm në Ballkan.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të vazhdojë me përgatitjen e raportit vijues”, u shpreh ajo.
Lidhur me situatën në Ukrainë, Xhaçka tha se “ne vlerësojmë rolin e Turqisë dhe rolin udhëheqës personal të Presidentit Erdogan, për arritjen e një marrëveshjeje mes Ukrainës dhe Rusisë, përmes “Iniciativës së Detit të Zi” për eksportin e grurit nga Ukraina nën garancinë OKB-së dhe Turqisë, duke kontribuar kështu në parandalimin e krizave ushqimore në të gjithë botën”.
“Kjo është me të vërtetë një arritje e admirueshme që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurinë ushqimore dhe zbutjen e çmimeve, veçanërisht për dhjetëra-miliona njerëzve të varfër që janë prekur më shumë se kushdo nga kjo situatë. Prandaj është shumë e rëndësishme që kjo iniciativë të ruhet dhe të vijojë zbatimi.
Shqipëria mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe ne jemi të përkushtuar për të forcuar mekanizmat e llogaridhënies për mizoritë e kryera në Ukrainë. Ne do të mbetemi plotësisht të angazhuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të trajtuar në mënyrën e duhur situatën e rëndë në Ukrainë”, tha ajo.