Sezoni turistik po zgjatet përtej muajve tradicionalë të verës, me të huajt që po e zgjedhin Shqipërinë gjatë gjithë vitit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në shtator 2022, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 39,7%, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Rritjen më të lartë e kanë shënuar vizitorët jo rezidentë, me 45.6%. edhe numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 30.9%.
Turistët jo rezidentë janë ata që sjellin realisht më shumë të ardhura në ekonomi. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 15,9%, në krahasim me Shtator 2021.
Ky tregues është ndikuar tërësisht nga të huajt. Numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 23,7%, ndërsa ai i rezidentëve me vetëm 0,8%.
Preferohet qendra dhe bregdeti
Gjatë muajit Shtator 2022, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 39,7%, krahasuar me Shtator 2021. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 84,6%.
Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 44,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritjen më të lartë me 31,3%.
Në muajin Shtator 2022, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:
• sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (43,2%);
• sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (55,8%);
• sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (95,3%);
Net-qëndrime
Gjatë muajit Shtator 2022, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 15,9% në krahasim me muajin Shtator 2021. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 50,1%. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 4,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota argëtimi” ka shënuar rritjen më të lartë me 67,9%.
Në muajin Shtator 2022, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar:
• sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (44,2%);
• sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (74,4%);
• sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (94,5%). /Monitor