Nga Fatos Tarifa
DITĒN E KRISHTLINDJEVE PËR KRISHTLINDJET: Respekt për të gjithë taksapaguesit e këtij vendi
25 dhjetor 2022. Ora 9:00 e mëngjesit. Shoh që RTSH1 transmeton drejtpërsëdrejti kremtimin e ceremonisë së Krishtlindjeve në katedralen ortodokse në Tiranë. Janullatosi, ky uzurpator i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare, të cilën e themeluan dhe na e lanë trashëgim patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare (dhe që ne kaq ngushtë e lidhim me emrin e njeriut më të ditur të kombit tonë, Fan Noli), dominon ekranin. Shumëkush mund të ngrinte supet përse nuk transmetohet drejtpërsëdrejti edhe mesha e Krishtlindjeve në katedralen katolike në Tiranë.
Të mos harrojmë: jetojmë në një shtet laik qysh prej themelimit të tij më 1912. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (Neni 10) nuk njeh asnjë fe zyrtare në këtë vend. Ajo përcakton se shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes”.
Republika e Shqipërisë nuk është Republika Helenike, e cila, edhe pse një shtet formalisht laik, njeh ligjin eklesiastik të Kishës Ortodokse si në veprimtarinë e vetë kësaj kishe, ashtu dhe në fusha të tilla të së drejtës civile, si martesa, ndërkohë që privilegjet dhe prerogativat që shteti grek ia njeh Kishës Ortodokse nuk ua njeh komuniteteve të tjera fetare.
RTSH është i vetmi televizion publik në Shqipëri që mbahet me paratë e të gjithëve ne si qytetarë dhe taksapagues të kësaj republike, edhe të atyre që janë të krishterë katolikë apo ortodoksë, edhe të atyre që janë myslimanë, edhe të atyre që besojnë në fe të tjera, të ndryshme nga këto dy fe të mëdha botërore, edhe të atyre (ndoshta më të shumtit) që nuk besojnë në asnjë fe.
RTSH nuk është RAI, televizioni publik i një vendi, që edhe pse zyrtarisht sekular, ka një popullsi në masën mbi 83 për qind të besimit të krishterë (rreth 80 për qind katolikë) dhe në kryeqytetin e të cilit, në Romë, ndodhet epiqendra dhe qeveria e Kishës Katolike (Vatikani) si dhe lideri i saj (Papa), me të cilët qeveria italiane ka një marrëdhënie të veçantë.
Ne të gjithë paguajmë për televizionin publik shqiptar, për ekzistencën, administrimin, funksionimin dhe modernizimin teknologjik të tij, si dhe për kohën dhe cilësinë e programeve të tij. Por, si taksapagues, shumica e qytetarëve të kësaj republike laike nuk do të dëshironim të shihnim në RTSH, pra në të vetmin televizion publik të vendit, kremtime ceremonish fetare, veç, ndoshta, lajmeve të shkurtra për to.
Si qytetarë të një republike laike dhe si taksapagues në buxhetin e saj, neve, fëmijëve, mbesave dhe nipërve tanë na intereson të shohim në televizionin publik kryesisht dhe gjithnje e më shumë programe informative, artistike, shkencore, argëtuese dhe edukative dhe jo kremtime ceremonish fetare, të cilat, kushdo që dëshiron, mund t’i ndjekë në ato institucione të fesë së vet ku ato zhvillohen.