Adenor Leonardo Bacchi i njohur si Tite u grabit mëngjesin e sotëm në Rio de Janeiro. Ish-trajneri që pak ditë më parë dha dorëheqjen nga kombëtarja e Brazilit kishte dalë herët në mëngjes për shëtitje, teksa një person ende i paidentifikuar e ka akuzuar për eliminimin e kombëtares nga Kupa e Botës së Katarit dhe i ka marrë sendet sportive që kishte me vete.

“O Globo” njofton se hajduti ishte i ri në moshë dhe përpara se t’i rrëmbente Tites sendet e trajnimit, e ka ofenduar rëndë, me këtë të fundit që ka ruajtur qetësinë.

Humbja me Kroacinë në Kupën e Botës dhe dalja jashtë objektivave solli largimin e Tite nga stoli i Brazilit, teksa kjo gjë nuk ka mjaftuar për tifozët që tanimë e grabisin dhe ofendojnë në rrugë. Policia ende nuk e ka identifikuar agresorin, me Tite që do duhet të ketë kujdes në daljet publike.