Një ish-sekretare që ka punuar në një kamp nazist të përqendrimit është dënuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10,505 personave. Irmgard Furchner, 97 vjeç, punoi si daktilografe në Stutthof nga 1943 deri në 1945, raporton BBC.

Furchner, një nga gratë e pakta që u gjykua për krime naziste në dekada, u dënua me dy vite burg me kusht. Edhe pse ajo ishte një punëtore e thjeshtë, gjykatësi tha se ajo ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte në kamp.

Rreth 65,000 njerëz mendohet se kanë vdekur në kushte të tmerrshme në Stutthof, duke përfshirë të burgosur hebrenj, polakë dhe ushtarë të kapur sovjetikë. Stutthof, që ndodhet pranë qytetit modern polak të Gdanskut, përdori një sërë metodash për të vrarë të burgosurit e tij dhe mijëra vdiqën në dhomat e gazit nga qershori 1944.

Gjykata në Itzenhoe në Gjermaninë veriore dëgjoi dëshmitë e të mbijetuarve të kampit, disa prej të cilëve kanë vdekur gjatë gjyqit.

Me nisjen e gjyqit në shtator 2021, Irmgard Furchner u arratis nga një azil në të cilin ndodhej dhe u gjet nga policia në një rrugë në Hamburg. Komandanti i Stutthof Paul-Werner Hoppe u burgos në vitin 1955 dhe ai u lirua pesë vite më vonë.

Një seri ndjekjesh penale janë zhvilluar në Gjermani që nga viti 2011, pasi dënimi i ish-rojit të kampit nazist të vdekjes, John Demjanjuk, krijoi precedentin se të qenit roje ishte provë e mjaftueshme për t’u dënuar.