Bashkimi Evropian po i afrohet më shumë vendosjes së një kufiri të çmimit prej 60 dollarësh për fuçi për naftën ruse, një manovër e shumëpritur dhe komplekse politike dhe ekonomike. Masa ka për qëllim të vazhdojë rrjedhjen e naftës së Rusisë në tregjet globale, dhe njëkohësisht të kufizojë aftësinë e presidentit Vladimir Putin për të financuar luftën e tij në Ukrainë.
Vendet e Bashkimit Evropian u përpoqën të arrinin një marrëveshje për këtë, pas këmbënguljes së Polonisë për të caktuar një çmim sa më të ulët për një fuçi të naftës ruse, thanë diplomatët të enjten. “Ende presim rezistencë nga Varshava”, tha një diplomat i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti.
Oferta e fundit, e konfirmuar nga 3 diplomatë të BE-së, vjen përpara një afati për të vendosur çmimin e naftës me zbritje deri të hënën, kur një embargo evropiane ndaj naftës së papërpunuar ruse dhe një ndalim për sigurimin e transportit për këto furnizime hyjnë në fuqi. Diplomatët folën në kushte anonimiteti pasi procesi ligjor për këtë çështje ende nuk ka përfunduar.
Shifra prej 60 dollarësh është një kufi afër çmimit aktual të naftës së papërpunuar të Rusisë, i cili ra këtë javë në nën 60 dollarë për fuçi dhe ka për qëllim të parandalojë një reduktim të mëtejshëm të naftës ruse në tregun botëror pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të reja perëndimore ndaj Moskës.
Kjo është një zbritje e madhe duke marrë parasysh se nafta e papërpunuar të ejten tregtohej me një çmim prej 87 dollarësh për fuçi, por mund të jetë i pranueshëm për Moskën, pavarësisht se ajo e kundërshton idenë e vendosjes së një kufiri të tillë.
Nafta është burimi kryesor i të ardhurave financiare të Kremlinit dhe e ka mbajtur ekonominë ruse në këmbë deri më tani, pavarësisht ndalimit të eksporteve, sanksioneve dhe ngrirjes së aseteve të bankës qendrore ruse që hynë në fuqi pas fillimi të agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të këtij viti. Rusia eksporton afërsisht 5 milionë fuçi naftë në ditë.
Rreziqet e dështimit të vendosjes së kufirit të çmimit janë të mëdha dhe mund të dëmtojnë furnizimin e botës me naftë. Nëse dështon, Rusia mund të hakmerret duke ndaluar eksportin e naftës dhe çmimet e energjisë në mbarë botën mund të rriten në mënyrë drastike. Presidenti Putin ka thënë se nuk do të shesë naftë nëse vendosen kufizime ndaj çmimit të saj dhe do të hakmerrej ndaj vendeve që do ta zbatonin masën.
Konsumatorët amerikanë dhe evropianë mund të ndiejnë pasojat nga rritja e çmimit të karburantit dhe njerëzit në vendet në zhvillim mund të përballen me nivele më të larta të pasigurisë ushqimore./VOA