Drejtoresha e IKMT-së, Dallëndryshe Bici ka deklaruar se do të padisë botuesin Ifran Hysenbelliu, pasi sipas saj, mediat në pronësi të tij kanë nisur një fushatë shpifjeje kundër saj si shenjë hakmarrjeje për shembjen e ‘Prestige Resort’.

“Mediat në pronësi të z.Irfan Hysenbelliu vazhdojnë përpjekjet e shfrenuara dhe të dëshpëruara për intimidim dhe hakmarrje. Sepse asgjë profesionale nuk ka, kur pas një “skupi” të tre viteve më parë, që mediat e z.Irfan e paraqesin si zbulim aktual, me një person të proceduar penalisht, që nuk ka qenë as inspektor i IKMT ndonjëherë, minimumi nuk kërkohet të shprehet edhe pala tjetër, unë dmth. Gjithsesi jam e gatshme të përballem në çdo institucion ligjor, për çdo akuzë. Unë njoh ligjin e shtetit, nuk i njoh “ligjet” e prapaskenave të medias dhe pronarëve të tyre. Dhe pikërisht për këtë, jam duke përgatitur kallëzim penal për shantazh, fyerje dhe kërcënim për shkak të detyrës. Kjo gjuhë thikash kundër shërbyesve të vendit dhe shtetit pa asnjë provë dhe fakt, duhet të qëndrojë pas dhëmbëve. Unë bëj vetëm detyrën dhe do të vazhdoj ta bëj me përkushtim pavarësisht dhunës së fjalëve, e shantazhit pa asnjë provë e fakt”, shkruan Bici.