Kryeministri Edi Rama, në Ditën e Diasporës, shprehu mirënjohjen për të gjithë emigrantët që janë kthyer në atdhe për të investuar dijet e fituara bashkë me kursimet në emigracion.
Kryeministri shprehu respektin për të gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë, ndërsa ndau në rrjetet sociale një video të emigrantëve të rikthyer në atdhe.
“Me përuljen plot respekt për të gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë, po edhe me mirënjohjen e admirimin për plot të tjerë që janë kthyer në atdhe për të investuar dijet e fituara bashkë me kursimet në emigracion, duke u bërë shembuj frymëzues suksesi moral e financiar për ata që janë ende jashtë, ju uroj një të diel të bukur”, u shpreh ai.
Përmes videos, kryeministri solli në vëmendje shembuj suksesi të shqiptarëve që kanë lënë emigrimin për t’u kthyer në Shqipëri.
Stefani Spiri muzikante, e cila ka mbaruar studimet e larta në SHBA ka vendosur tashmë të zhvillojë aktivitetet e saj artistike në Shqipëri.
Një tjetër i ri i rikthyer nga emigrimi për të investuar në vendlindje është Bajram Nikolli. Ai ka emigruar në Itali që në moshën 15-vjeçare, ka studiuar e punuar atje dhe kursimet i investoi në Shqipëri edhe pse është me pasaportë italiane.
Ferdinand Allkanjari, fermer është rikthyer në vendlindje nga viti 2005 dhe ka investuar në 4 dynym serra ku kultivon perime.
Fatmir Hysa pas 30 vitesh në emigrim u rikthye për të investuar të ardhurat e tij në një hotel në vendlindje.