Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar tha se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për artin dhe kulturën, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Ai u shpreh se ka qenë dëshmitar i përpjekjeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar, të cilët, siç thekson Basha, tek ajo godinë nuk gjenin mjetet për të bërë artin e tyre.
Sipas tij, ndërtimi i Teatrit të ri do ti shërbejë jo vetëm artistëve aktualë, por edhe brezave të ardhshëm. “Është një moment për artin dhe kulturën shqiptare, por edhe për gjithë shoqërinë.
Unë jam një person që kam qenë dëshmitar i përpjekjeve edhe i vuajtjeve dhe frustrimeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar që sot nuk jetojnë më që tek ajo sallë nuk gjenin mjetet për të bërë artin e tyre. Ata kërkonin një zgjidhje që të ishte e plotë, e sigurt për të ardhmen dhe përfundimtare. Ky diskutim ka nisur që në vitet 50. U deshën 70-80 vjet që dëshira e tyre të kishte një zgjidhje dhe kjo zgjidhje ishte më e mira e mundshme për një teatër të ri, një teatër të investuar me paratë e taksapaguesve. Ky teatër nuk i përket vetëm të tashmes, por edhe të ardhmes”, tha Basha.