Trajneri i njohur italian, Fabio Capello ka kritikuar mënyrën e sjelljes së Cristiano Ronaldos. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, 76-vjeçari ka thënë se portugezi u vetëofrua në disa skuadra por askush nuk e pranoi pasi menduan se do ishte problem për ekipin, kjo për sjelljen arrogante. Për teknikun që ka drejtuar disa skuadra të njohura, CR7 e ka krijuar vetë diçka të tillë dhe sipas tij është e turpshme.

“Ronaldo e krijoi vetë këtë situatë, është turp. Në aspektin sportiv nuk mund të kritikohet, si njëri është tepër arrogant. Ai doli lojtar i lirë dhe u vetëofrua në disa ekipe, nuk gjeti asnjë klub që besonte tek ai. La përshtypje se do të ishte problematik për çdo skuadër”, ka deklaruar Capello në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Kujtojmë se Ronaldo ende është në kërkim të një ekipi pas largimit të zhurmshëm nga Manchester United, teksa mbylli mes akuzash për mosrespekt marrëdhënien me ishullorët. Al-Nassr në Arabinë Saudite me gjasë do jetë klubi i tij i ri, teksa Ronaldo duket se do lërë futbollin elitar.