Sot u çelën zyrtarisht punimet për godinën e re të Teatrit të Ri, i cila do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së Shekullit XXI. Njësoj si Stadiumi i ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushte më të mira aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti ishin në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri, u shpreh se sot më shumë se kurrë na duhet të kapim kohën e humbur. Ai tha gjithashtu se teatri i ri do të ndërtohet në tokën e tij, me para publike dhe do të jetë shumë herë më i fortë dhe më i bukur. Në ceremoni ishin edhe aktorët e mëdhenj si Robert Ndrenika, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Tinka Kurti, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë, Kastriot Çaushi, Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Indrit Çobani dhe drejtori i ri i teatrit, Altin Basha.
“Sot jam mirënjohës për profesor Bertin, për Luizën, për Tanin, për Tinkën, për Luftarin dhe Kaçin, Altinin e shumë të tjerë, të cilët në fakt, kur e nisëm këtë debat, kishim opinione të ndryshme, por në demokraci ne biem dakord që të mos biem akord, ama sot kemi dakordësuar diçka shumë të madhe: që Teatri do të jetë në tokën e vet, në territorin e vet, pa lëshuar asnjë centimetër, as privatit, as kujt tjetër. Sot kemi rënë dakord që Teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet, sepse vendosëm që të vinim mënjanë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe këmbënguljen e Kryeministrit Rama, që të bëhet me paratë e buxhetit dhe ne të kemi mundësi që me para publike, në tokë publike, të bëjmë një teatër 9 herë më të madh, më të fortë dhe sigurisht më të bukur në rajonin tonë,” u shpreh.
Besimi, bashkëpunimi, dashuria, puna është ajo që na çon përpara tha Veliaj.
“Për mua është një dilemë shumë e madhe se si mund të ketë ende forca politike kundër Teatrit? Si mund të ketë forca politike kundër sheshit? Si mund të ketë forca politike kundër këndit të lodrave? I quaj forca politike se nuk janë as parti. Janë një konglomerat, një aliazh copëzash të partive të ndryshme, asnjë parti integrale nuk është e përfshirë në këtë histori, është vërtet për të ardhur keq. Të mendosh që shumë prej këtyre lëvizjeve politike filluan si dramë, vazhduan si tragjedi dhe përfundojnë sot si komedi. Filluan si dramë sepse ishte dramatik ndryshimi i sistemit, ishte dramatik ndryshimi, rënia e murit të Berlinit, hapja ndaj demokracisë; ishte tragjike pastaj, që shumë prej këtyre personazheve u shpallën non-grata, kurse sot nuk kalojnë dot përtej aeroportit të Rinasit apo portit të Durrësit. Është komedi kjo që ndodh sot, kur ato lëvizje që nisën si shpresë, nisën si dramë, kaluan këto tragjedi, sot në fakt janë kthyer në vepra shumë të lira komike. Një komedi e tillë Tirana nuk ia ka borxh dhe unë besoj që sot, më shumë se kurrë, na duhet të kapim kohën e humbur,” vijoi kreu i Bashkisë.
Ai tha po ashtu se, “sot jemi në një situatë ku kemi konsensusin më të madh të artistëve dhe arkitektëve. “Kemi sot një dakordësi që qyteti ka nevojë për një hapësirë të tillë, ashtu siç janë bërë hapësira fantastike Piramida, Pazari, Sheshi, Liqeni, Unaza e Vogël, Unaza e Madhe, Stadiumi Kombëtar dhe shumë vepra të tjera që e kanë rritur cilësinë e jetës dhe vlerën e pronës në qytetin e Tiranës.
Ai falenderoi arkitektin e famshëm danez, Bjarke Ingels për të cilin tha se sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe sot është identifikuar me Teatrin e Tiranës. “I japim një mirëseardhje shqiptare të gjithë çunave e gocave, që kanë ardhur nga Kopenhagen. Bjarke sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe siç e provoi, duke ardhur këtu sot, është më e vështirë të bësh një teatër në Shqipëri se sa të bësh një stacion në Hënë, por më vjen mirë që një emër kaq i madh është identifikuar me një vepër që do jetë pa dyshim vepra më e bukur e artit dhe kulturës në gjithë gadishullin e Ballkanit,” nënvizoi Veliaj.