Kur autoritetet shqiptare nuk kanë asnjë gjurmë për atentatorët e biznesmenit, Edmond Papa, grekët e hetimit vijojnë të gërmojnë nëpër burgjet e vendit për të zbuluar nëse urdhri doli prej aty për atentatin e 18 dhjetorit.

Ndonëse ata për asnjë moment nuk i kanë ndarë dy ngjarjet në motive dhe në autorë, ekzekutimin e dy shqiptarëve në një nga lagjet më të njohura të Athinës, e lidhin edhe me një mori aktesh kriminale të ndodhura ndër vite. Vrasjet e ndodhura në Athinë dhe atë të Tiranës ata e lidhin me një vrasje të majit të një viti më parë, po ashtu edhe një sërë atentatesh të shumta që kanë përgjakur Greqinë, e kryesisht Athinë që nga 2007-2008-a!

Sipas të dhënave të mediave vendase mësohet se kontrolle janë ushtruar edhe gjatë fundjavës nëpër qelitë e atyre që konsiderohen persona që drejtojnë grupe jashtë dhe mafien brenda burgjeve. Në fokus është sërish emri i Klodian Lekocajt, për të cilin policia dhe mediat vendase tregojnë se konsiderohet dhe është bosi i asaj mafieje. Po ashtu kontrolle janë kryer edhe në disa burgje të tjera, por ende pa specifikuar se kush ka qenë shënjestra e policisë, pasi gjithçka kryhet në kuadër të hetimit të atentatit të bujshëm që ndodhi në mes të Athinës, teksa autori iku në drejtim të paditur i vetëm.

NGJASHMËRIA E EKZEKUTIMEVE

Media greke “To Vima” duke iu referuar burimeve policore, në një shkrim të publikuar ditën e djeshme lidhur me vrasjen e dy shqiptarëve Kreshni Çerçizaj dhe Armando Ogranaja një javë më parë, mes të tjerash shkruan se ka dyshime se i njëjti vrasës të ketë ekzekutuar dhe dy shqiptarë të tjerë.

Konkretisht, bëhet fjalë për Aris Papën, 32-vjeç nga fshati Dhiver i Sarandës, ekzekutuar me armë zjarri teksa pinte kafe në një lokal në “Sepolia”, Athinë, në maj 2021 dhe Dikenc Halilin, 39-vjeç nga Tepelena, ekzekutuar me armë zjarri në një lokal në “Agio Pavlo”, Athinë, në tetor 2021. Sipas policisë të tria ekzekutimet kanë ngjashmëri të forta. Nga ana tjetër “To Vima” shkruan se ka dyshimet se urdhri për vrasjen e një jave më parë të jetë dhënë nga shqiptarë që ndodhen në burgjet e Greqisë, që janë dyshuar edhe më parë për ngjarje të tilla të ngjashme. Konkretisht, po hetohet roli i dy shtetasve shqiptarë të burgosur, njëri i përfshirë më parë në një arratisje masive dhe tjetri një person që është hetuar nga shumë sektorë të Policisë, përfshirë dhe Antiterrorin.

VRASJA E ARIS PAPËS

Në majin e një viti më parë Athina u trondit nga vrasja e një shqiptari. Quhej Aristides Pappas (i njohur me pseudonimin “Mili”), ekzekutimi i të cilit ngriti në “këmbë” Policinë dhe hetuesit grekë. Mediat helene shkruan se 32- vjeçari ishte viktima e 13-të e bandës shqiptare që shkatërroi qendrën e Athinës, që nga viti 2007 duke u marrë me grabitje, vjedhje, trafik droge dhe vrasje. Ndaj Papës ka pasur disa tentativa për ta vrarë, ku më e fundit ishte më 26 shkurt të vitit të vitit 2020.

Atentati i 30 majit do të ishte fatal dhe që do t’i merrte jetën, ngjarje për të cilën autoritetet greke thanë që kishin përqendruar hetimet në një grup kriminal. Aso kohe u mësua se kjo bandë drejtohej nga ‘Mili’, me zëvendësuesit e tij Dorian, Ladi dhe Fredi, si dhe 4 persona të tjerë. Dy prej tyre morën pjesë në tentativën e tretë për vrasjen e Arisit në Larissa. Një prej autorëve përplasi një oficer policie në përpjekje për tu larguar, ndërkohë u tha se anëtarët e grupit kriminal u arrestuan në Attica dhe Corinth, ndërsa një 32-vjeçar shqiptar u identifikua dhe u shpall në kërkim.

Aris Papas i cilësuar nga mediat greke si një nga anëtarët më të njohur të mafies shqiptare, u ekzekutua pasditen e së shtunës në një lokal duke pirë kafe në qendër të Athinës. Shqiptari i njohur si “Mili” u bashkua në radhët e mafies shqiptare shumë vite më parë, ndërsa në një artikull ngriheshin dyshime edhe për një person për të cilin më vonë nuk u fol më. Historia e atentatit ndaj Aris Papës tashmë rimerret nga grupi hetimor që po merret me vrasjen e dyfishtë të 18 dhjetorit për të bërë të mundur hedhjen dritë mbi shkaqet dhe atentatorët e mundshëm të asaj ngjarjeje në mes të Athinës dhe në mes të mijëra njerëzve.

Çfarë ndodhi mes bandave shqiptare në Greqi, ku bënte pjesë edhe Ari Papa?

Një grup i madh shqiptarësh, kryesisht të rinj që më pas do të ktheheshin në vrasës, organizuan një bandë prej 20 personash me qëllim trafikimin e drogës. Pas prishjes së pazareve mes tyre, grupi u nda në dy pjesë. Në këtë moment ndërmjet tyre filloi një luftë e ashpër për kontrollin e trafikut të drogës që përfundoi me vrasjen e të gjithë anëtarëve të njërit grup përveç një prej tyre që u arrestua në qershor 2007, ndërsa nga grupi tjetër mbetën 5 persona, 4 u arrestuan në 2008 dhe njëri u shpall në kërkim.

Emrat e viktimave të përplasjes së përgjakshme të atyre viteve: 16.03.2007 në rrugën “Paraskevopoulo” në Agio Pantaleimona, Athinë vritet Erland Nimani, 22-vjeç. Ai u vra në Internet-Cafe “Lan Games”, duke u qëlluar me 5 plumba nga dy persona. 01.03.2008 në rrugën “Axarnon” në Agio Pantaleimona, Athine vritet Anduel Zoto, 21-vjec. Ai u qëllua teksa udhëtonte me motor, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën 9 gëzhoja dhe 1 krehër i boshatisur.

EMRA TË PËRVEÇËM

27.03.2008 tentohet të vritet në një park në Sepolia, Stilian Ahmeti 21- vjeç, teksa ndodhej së bashku me Silvio Caren. Ahmeti mbeti i plagosur në këmbë. Ahmeti vite më vonë u arrestua bashkë me një rumune 22-vjeç për grabitje argjendarie, ndërsa Silvio Cara që aktualisht kërkohet në Shqipëri u arrestua si pjesë e bandës së vrasjeve të viteve 2007-2008.

08.06.2008 në rrugën “Raidhestou” në Tampouria, Pire vritet Elvis Bogdani 23-vjeç. Në vendngjarje u gjetën 2 pistoleta që i përkisnin Bogdanit dhe disa fishekë të qitura nga armët e atentatorëve. Autorët e vrasjes u identifikuan nga nëna e viktimës, e cila ishte dëshmitare okulare së bashku me motrën dhe një shoqe të viktimës. Bogdani ishte rekrutuar nga banda që në vitin 1998 kur ishte 12-vjec ndërsa pas disa vitesh u shkëput duke krijuar grupin e tij. Një shkrim i gazetës “To Vima” në dhjetor 2014, indirekt përmend emrin e Klodian Lekocajt si i përfshirë në vrasjen e Bogdanit.

Lekocaj njihet si një ndër të ashtuquajturit krerë të “Mafies së burgjeve” në Greqi, të përfshirë në vrasjen e avokatit grek Zafiropoulos dhe disa shqiptarëve të tjerë në burgjet greke si Arbër Bako e Bandiol Tusha allias Bardhyl Tusha.

05.09.2007 në një apartament në rrugën “Vorio Epiri” në Kolono, Athinë vriten Vasil Lici 25-vjeç, Aldo Agalliu 21-vjeç dhe Besnik Pajaziti 25-vjeç. Ata ishin qëlluar me armë në kokë ndërkohë që në banesën e tyre u gjetën veç armatimit edhe uniforma të Policisë greke, si dhe drogë./Panorama.al