Nga Lorenc Vangjeli/
Kishte shumë kohë që Profesor Ilir Ohri i shtrëngonte me kujdes duart me dhjetera njerëz në ditë që rrekeshin ta përshëndesnin e përqafonin në ambientet e QSUT-së, në pavionin e tij, në rrugë e kudo gjetkë, aty ku rruga e tij kryqëzohej me mirënjohjen që merrte si shpërblesë.
Në dorën e tij të djathtë, prej kohësh ai mbante një vigon plastik të fiksuar për të vazhduar të marrë mjekimin për sëmundjen fatale, por ai nuk mungoi asnjë ditë aty ku e prisnin të gjithë. Si koleg, si mik, si ëngjëllin mbrojtës që ndeshej në dhjetera vite në betejën e pasosur për jetën. Me shpirtin më të bardhë se bluza që dashuronte, ky qytetar i madh vendosi të Ikë nga aty ku kishte ngritur në piedestal pasionin për të shërbyer.
Iku duke bërë atë shenjën mospërfillëse të luftëtarit që kishte parë kaq shumë vdekje në jetë dhe që nuk ngutej të bënte edhe llogarinë vetjake me vdekjen e tij.
I la vetë takim fundit. Si një betejë të cilës epilogu mund t’i numërohej si fillim, realiteti si kujtim i përkohshëm dhe mirëseardhja si një trokitje e pandodhur sepse në derën e hapur nuk trokitet kurrë.
Ka një ishull magjik në QSUT. Aty ka aty libra si në bibliotekë, lule si në një serë përçdostinshme, fotografi në mure dhe kafe që shërbehet përpara hyrjes në ishull. Ka dhe njerëz, shumë njerëz që sjellin aty hallin vetjak dhe marrin zgjidhje halli. Ka dhe një grusht me doktorë, të çilët nuk mungojnë kurrë dy herë në ditë: përpara nisjes së punës dhe mbas mbylljes së saj. Eshtë një grusht njerëzish të ditur me kujtesën e Google-it dhe me lirizëm poetësh, me humor librash dhe autoironi të mençurish, të cilët nga java e parafundit e dhjetorit, në prag të Krishtlindjeve, do të gjejnë një karrige bosh në atë ishull punëprehjeje dhe prehjepaspunësh. Do të mungojë ai që vdekja diti të zgjedhë: buzëholla nazike, kapriçiozja e llastuar, di të zgjedhë dhe zakonisht zgjedh më të mirin!
Profesor Ilir Ohri, shef i shërbimit të anestezi reanimaçionit, ai model i padiskutueshëm i autoritetit moral e intelektual, profesionisti i përkorë në piedestal dhe piedestal mirësie, shërbëtor i artë i qytetarëve dhe kryeqytetar zotni, student i përhershëm i një jete të stuhishme dhe profesor profesorësh, Iku në heshtje, si për të dëshmuar sesa e fortë ishte magjia e pranisë së tij. Iku duke lënë pas atë buzëqeshje që e linte të rridhte nga skaji i portretit të tij, shenjë e klithmës së fortë që zbulonte praninë e gjeneratës së tij.
Eshtë një brez i shkëlqyer mjekësh në QSUT, 45 e 65 vjeçarë, që siç mbron jetë me praninë e tij, tremb për vdekje nga mundësia e ikjes. Shoqëria shqiptare në krizë identiteti, që u detyrohet një borxh të pafundëm moral mirënjohjeje dhe respekti, e zënë me luftën e përditshme për mbijetesë, e ka të vështirë të pranojë epërsinë dhe domosdoshmërinë dramatike të këtyre grave dhe burrave të veçantë. Do ta kuptojë vetëm nëse nuk i kanë sepse të liqtë e maskarenjtë e quajnë sport goditjen me gurë të atyre gurëve të çmuar të gjithë shoqërisë. Sepse praninë e tyre e quajnë normale si ndrimi i stinëve, edhe pse shpesh, edhe pa qenë hipokritë, shumëkush zgjedh t’i dojë pa kushte vetëm kur ikin.
Vigoni që mbante në dorë profesor Ilir Ohri tani është jetim. Ajo portë ky hynte shpresa për më shumë jetë, tani ka humbur diku. As dy bijat e tij të mrekullueshme, as bashkëshortja e tij fisnike, nuk i mbajnë mëri asaj copëze plastike. Atë mrekulli që nuk mund ta bënte dot mjekësia, e ndihmoi dashuria dhe lutjet për të kapërcyer edhe pragjet e pamundësisë që ka shkenca.
Profesor Ilir Ohri ishte një nga yjet më të ndritshëm të mjekësisë shqiptare. Dhe njëlloj si yjet, që kur vendosin të shuhen, vazhdojnë të duken për vite të tërë në qiellin mbi tokë, kujtimi i tij do të jetë portreti unik i një gjenerate unike dhe të pakthyeshme të mjekësisë shqiptare. Kush ka gjunjë të fortë për të qëndruar në këmbë, le t’i përdorë qoftë dhe për një çast ato për t’iu gjunjëzuar një qytetari të rrallë që meritoi titullin më të lartë që jep mirënjohja njerëzore: ishte Njeri!