Kudusi Lama, gjenerali i UÇK-së në pension i ftuar në Shqip me Dritan Hilën u ndal tek akuzat për krimet e luftës, ku tha se nuk ka patur asnjë rast të krimeve të luftës kryer nga forcat e UÇK-së. Lama ndër të tjera tha se shqiptarët duhet ta kuptojnë mirë luftën e Kosovës, ndërsa theksoi se ai ndihet mirë nga dy fjalimet e Edi Ramës në OKB dhe BE.
“Nuk e kemi zakon ne të luajmë me kufomat. Kam siguri absolute se nuk ka pasur asnjë rast të krimeve të luftës nga shqiptarët. Duhet bërë diçka e ditur edhe për partitë politike. Hashim Thaçi, Vesili, Selimi nuk janë në burg se kanë qeverisur keq Kosovën, nuk janë në Hagë se kanë abuzuar me pushtetin. Duhet të sqarohet deri shqiptari i fundit, ata janë në Hagë për atë që kanë bërë mirë.
Ka nga ata që mezi presin mos të shkojë Serbia në Hagë si në Tiranë edhe në Prishtinë.
Ta harrojnë të gjithë ata që mund të mendojnë se do kthehet Serbia në Kosovë. Shqiptarë në Beograd ka për të pasur plot, serb në trojet shqiptare asnjë. Koha do ta vërtetojë këtë që them unë. Mirë është që t’i thërrasim mendjes dhe të respektojmë vlerat tona.
Do të arrijmë në atë moment, siç ka ndodhur për turp në Tiranë, që i quajmë dëshmorët kriminelë.
Ndihem krenar për dy fjalimet e Edi Ramës në OKB dhe BE. Ai më bën krenar me ato lloj qëndrimesh. Duhet të prezantohesh me dinjitet. Ai e ka bërë mirë dhe nuk e di pse thonë që e ka bërë keq”, tha Kudusi Lama në Shqip.