E ardhmja e Garet Sauthgejt në krye të kombëtares angleze është vënë në pikëpyetje. Ndaj në Angli kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë që mund të zëvendësojnë teknikun aktual nëse ky i fundit dhe federata angleze nuk do të vijojnë bashkëpunimin mes tyre.

Mes emrave të shumtë, janë dy që spikasin, Tomas Tuhel dhe Mauricio Poçetino. Të dy e njohin futbollin anglez, por tekniku argjentinas, Poçetino, duket një hap përpara gjermanit.

Në fakt, lojtarët dhe federata angleze kërkojnë që Sauthgejt të qëndrojë nën drejtimin e “Tre luanëve” deri në vitin 2024.

Por 52-vjeçari nuk është shumë i bindur për të vijuar dhe ka kërkuar më shumë kohë për të reflektuar.

Ndaj Poçetino e Tuhel janë gati për ta zëvendësuar. Por ideja e ardhur nga Anglia, se tekniku i ardhshëm mund të jetë i huaj, ka ngjallur debate.

Ish-trajneri i Anglisë, Sem Allardajs, është shfaqur kategorikisht kundër, duke e cilësuar një ide të tillë jobindëse dhe ofenduese për teknikët anglezë.

“Kemi shumë trajnerë të mirë dhe nuk shoh arsye të forta përse duhet t’ia besojmë një joanglezi timonin e kombëtares”, tha Allardajs.