Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan la të kuptohet sot se do të kandidojë për një mandat të fundit si president.

Ai tha se do të jetë hera e fundit që do të kandidojë për president duke njoftuar se më pas do t’ia dorëzojë stafetën “rinisë”.

“Ne do të fillojmë ndërtimin e shekullit të Turqisë me mbështetjen që kërkojmë për herë të fundit në emrin tonë nga populli ynë në vitin 2023,” tha presidenti i Turqisë gjatë një fjalimi në Samsuda, duke lënë të kuptohet se nëse ai fiton në zgjedhjet e 2023, do të jenë të fundit për të.
“Ne do t’ia dorëzojmë këtë flamur të shenjtë rinisë sonë”, shtoi ai.

Erdogan është në pushtet që nga viti 2003, dhe Partia e tij islamike-konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) shpreson të fitojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në qershor 2023.

Erdogan ka shërbyer më parë si kryeministër i Turqisë nga 2003 në 2014, ndërsa nga 2014 deri më sot është President i Turqisë.