Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, në një intervistë të dhënë së fundmi, u shpreh se medie në Shqipëri është e lirë. Kim nënvizon se dallimi qëndron midis medies së lirë dhe medies së pavarur.
“Unë mendoj se ka një rol absolutisht thelbësor që luan një medie e lirë dhe mendoj se në pjesën më të madhe në Shqipëri, siç reflektojmë në të gjitha raportet tona, ka medie të lirë. Dallimi qëndron midis medies së lirë dhe medies së pavarur dhe një nga sfidat për mjedisin mediatik në Shqipëri është se ndërkohë që ka medie të lirë – çdokush mund të raportojë për çdo gjë – , ajo nuk është domosdoshmërisht e pavarur, sepse ka interesa të forta biznesi. Dhe nga sa mund të shoh, ata shpesh diktojnë ose kufizojnë atë që raportohet”, tha ajo.
Po ashtu, Kim u shpreh se “është absolutisht e qartë se të gjithë ne jemi kundër çdo lloj sulmi ndaj gazetarëve”. “Ata kanë rol thelbësor dhe si çdo qytetar tjetër, ata kanë të drejtë të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa u kanosur dhe frikësuar. Për mënyrën se si organizoheni, mendoj se është e rëndësishme të zhvilloni një ndjenjë solidariteti dhe të ndiqni synimet tuaja së bashku. Jeni gjithmonë më të fortë kur jeni bashkë”, tha ajo.
Ambasadorja theksoi nevojën e ngritjes së nivelit të diskursit publik në Shqipëri. “Kam folur edhe më parë për nevojën e ngritjes së nivelit të diskursit publik në Shqipëri, ashtu si në pjesën tjetër të Europës dhe Amerikës dhe kjo gjuhë duhet të pasqyrojë vlerat tona. Shqipëria dhe SHBA janë të dyja anëtare të NATO-s. Ne mbështesim përpjekjen e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian dhe jemi krenarë që ulemi pranë Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dhe ne e mendojmë se është e natyrshme që diskursi publik në një vend si Shqipëria të pasqyrojë realitetin e ri”, tha ajo.