Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë festive në stadiumi “Air Albania”, ku u prezantuan 700 ekipet sportive shkollore, në basketboll dhe volejboll, me nxënës nga e gjithë Shqipëria.
Në fjalën e tij, drejtuar mijëra vajza dhe djemve, Kryeministri Edi Rama tha se në këtë stadium fjala më e bukur që mund të thuhet është fjala “Shqipëri”. Prandaj, nga këtu e gjithë Shqipëria t’ju dëgjojë Shqipëri, Shqipëri, Shqipëri…! Dhe në këtë lëvizje të madhe sportive, e cila sapo ka nisur, me siguri do të dalin edhe ata kampionë që do të ngrenë lart flamurin e Shqipërisë, do të dalin edhe ata që do të nderojnë jo vetëm veten, jo vetëm prindërit, por mbarë kombin shqiptar.
“Por, ndërkohe, për të gjithë të tjerët, kjo është një lëvizje për shëndetin, kjo është një lëvizje për mendjen e shëndoshë në trup të shëndoshë, kjo është një lëvizje për të kaluar së bashku orë të lirë duke u argëtuar, duke u shoqërizuar, duke garuar me njëri- tjetrin dhe në fund duke fituar. Paçi vetëm fitore!”, tha Kryeministri i vendit.
Përmes lëvizjes sportive, për herë të parë, do zhvillohet turneu i ndeshjeve të volejbollit dhe basketbollit nëpër qarqe, ku do të mbahen 96 kampionate dhe më pas, në 2023, do zhvillohen 12 garat kombëtare.
Ekipet sportive kanë përfshirë nga i gjithë vendi më shumë se 10 mijë vajza dhe djem të interesuar për të investuar seriozisht në pasionin e tyre. Janë formuar rreth 700 ekipe basketbolli dhe volejbolli për të dyja gjinitë, në arsimin parauniversitar dhe duke filluar nga janari do krijohen edhe ekipet me të rinjtë e universiteteve.
Çdo protagonist, do të marrë falas të gjithë bazën e nevojshme materiale. Një proces që ka filluar në muajin nëntor dhe deri më tani, në të gjitha qarqet, janë pajisur me materiale sportive rreth 8300 nxënës.