Ministria e Bujqësisë me ligjin e miratuar sëfundmi për vreshtarinë synon që të mos favorizohet më produkti i importit, por t’i jepet vlerë prodhimit shqiptar. Në një intervistë për Report Tv, zv.ministri i Bujqësisë, Enio Civici shpjegon çfarë parashikon ligji, duke theksuar atë që është më e rëndësishmja, të mos lejohet më që gjatë prodhimit të verës të përzihet rrushi shqiptar me atë të importit.
Për gazetarin Arbi Fortuzi, Civi u shpreh se përmes këtij ligji nuk është synimi që të penalizojnë fermerin dhe prodhuesit e verës, por në fakt t’i japin vlerë produktit shqiptar. Në rast se prodhuesit e verës do të përziejnë rrushin shqiptar me atë të importit, Civici thotë se ligji i detyron që ta deklarojnë në etiketë që kjo verë nuk është shqiptare, pasi duhet përdorur vetëm rrush që është prodhuar në vendin tonë.
“Do ketë një regjistër, ku do regjistrohen si fermerët vreshtarë edhe kantinat e verës që përdorin një lloj prodhimi apo një tjetër për të nxjerrë një verë. Një importues i rrushit maqedonas, do duhet ta deklarojë të tillë rrushin që e ka marrë. Nuk mund të thotë që është verë shqiptare. S’do lejohet më ligjërisht, duhet të kesh përdorur rrush që është prodhuar në Shqipëri”, tha Civici për Report Tv.
Për ato verëra që prodhohen me rrush autokton shqiptar, zv.ministri shpjegon se ato do të identifikohen si produkte autoktone shqiptare. Ndërkohë, për fermerët që do e përdorin rrushin vetëm për prodhim vere, ligji parashikon që duhet të regjistrohen në mënyrë që të ndiqet një protokoll për mirëmbajtjen e bimës.
“Industria e prodhimit të verës ka pësuar një zhvillim të jashtëzakonshëm 10 vite e fundit. Ligji ishte vitit 1990. Takime me prodhuesit dhe grupit e interesit në mënyrë që ligji i ri të ishte në përputhje me pritshmëritë e tyre. Ligji konsiston në disa pika kryesore, rregullon prodhuesit e verës apo fermerët e vreshtave që nëse do e përdorin rrushin për prodhim vere duhet të regjistrohen që të ndjekin protokollet e mirëmbajtjes së bimës, të mbrojë prodhuesin e verës nga hyrje të tjera të importit, që mund të ndërhyjnë, të miksohet me verën e importit. Ligji e përcakton edhe llojin e importit të verës. Krijohet baza identifikuese dhe mbrohet prodhuesi i verës që përdor rrushin shqiptar. Rrushin e të ardhurave njësoj mbrohet, por në rastin e autoktonëve ligji lejon, regjistrimin e verës si autoktone, mbrojtjen e saj, eksportin e saj. Ti vijë në ndihmë, të jenë të mbrojtur dhe jo t’iu imponohet”, vijoi Civici.
Ligji për vreshtarinë u miratua senacën e fundit të Kuvendit për këtë sesion parlamentar.