Kryeministri Edi Rama deklaroi se, mbështetja financiare e BE-së për Shqipërinë po bëhet gjithnjë e më e konsiderueshme.

“Ne do bëjmë çdo përpjekje që ajo të zgjerohet”, u shpreh Rama gjatë një bashkëbisedim që zhvilloi sot, online me qytetarët dhe përfaqësues të medies.

“Për sa i përket “Samitit”, a ka ky Samit nai lek?, siç pyet Agimi, apo është vetëm për foto? Dëshiroj të them se jemi gjithmonë e më shumë të përfshirë në një proces ku mbështetja financiare e BE-së bëhet gjithë e më e konsiderueshme dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje që ajo të zgjerohet, pavarësisht se ne, ndërkohë duhet të vazhdojmë me procesin e integrimit të plotë”, tha Rama.

“Ajo çka po insistojmë shumë fort nga ana jonë si Shqipëri, por kemi besoj dhe mirëkuptimin dhe mbështetjen në këtë ide edhe të vendeve të tjera të rajonit, është për disa pjesë të përfitimeve le t’i quajmë kështu me gjuhën e Agimit, nga procesi i integrimit, të mos pritet që ne të bëhemi anëtar të BE-së dhe këto janë pjesë që kanë të bëjnë me universitetet, me bujqësinë, kanë të bëjnë me të rinjtë dhe që kanë të bëjnë natyrisht edhe me investimet strategjike në infrastrukturë, digjitalizim dhe energji”, deklaroi Kryeministri.