Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaron se garon në këtë mandat të tretë për të përfunduar shumë prej disa punëve të nisura për qytetin. Veliaj u shpreh për Vizion Plus se prej një minorance të vogël qyteti ka humbur mjaft kohë.
“Dua që mandati i 3-të të jetë një mandat ku ne mbarojmë disa punë që na kanë ngelur pezull në Tiranë edhe prej këtyre bllokimeve dhe vonesave. Unë besoj që duhet të mbarojë unaza e Tiranës dhe tani jemi te pjesa e Paskuqanit, do rikthehemi prapë në Tufinë që ta lidhim pastaj në Shkozë, ku ka mbaruar gjysma. Ajo vonesa e “Astirit” nga disa personazhe tragjikomikë që vetëm vonuan edhe veten e tyre në rrugët e Tiranës, nuk duhet të vazhdojë më si lojë. Edhe prapë një nga pendesat e mia është që i kemi lënë shumë terren një minorance të vogël që as e voton njeri, vetëm me idenë që hajde t’i respektojmë, hajde t’i dëgjojmë, por nuk kanë interes të zgjidhin problemet, kanë interes vetëm të bllokohet puna. Kështu që në këtë sens do ecim shumë shpejt aty”, tha ai.
Duke u ndalur në çështjen e transportit, Veliaj u shpreh se qyteti do të ketë dhe terminalet e autobusëve. “E njëjta gja do ndodhi me terminalet e Tiranës. Ne kemi, kam 7 vjet gjyqe me kthesën e Kamzës. Ndërkohë ka mbaruar terminali në Lundër, te rrethrrotullimi në Lundër dhe besoj me një hyrje lindore, me një hyrje perëndimore ku rrinë autobusët. Aty pastaj kemi edhe pikën e lidhjes me trenin, ajo është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Krahas hapjes së piramidës vitin e ardhshëm që do të ofrojë kurse për 5 mijë të rinj në vit, Tirana do të ketë dhe buqetën e re të shkollave të reja. “Kemi paketën e fundit të shkollave, jam shumë i kënaqur, një nga projektet për të cilin jam vërtetë shumë krenar. 43 shkolla kanë mbaruar, por kemi edhe një paketë të fundit që janë 2 shkolla, 1 në “Astir”, 1 në Yzberish, dhe 2 të tjera nga ana e Lanës tek Njësia 7, për t’u zgjidhur përfundimisht që ajo lagje e re gjithashtu të ketë arsimin e nevojshëm. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe te lagjja tjetër siç thashë te Liqeni i Thatë, ku do jetë një shkollë tek Parku Olimpik, shkolla “Dritëro Agolli” dhe një shkollë tjetër afër Kopshtit Botanik. Pasi mbaruam kampusin në UBT, godina te inxhinieria, godinat e tjera te mjekësia, ka ardhur koha për kampusin e madh te Qyteti Studenti. Kështu që jemi në fazën e mbarimit të projekti dhe në mandatin e 3-të ne duam përfundimisht të zgjidhim të gjitha nevojat për universitetet e Tiranës. Dhe besoj që me këtë paketë investimesh unë mbyll të gjitha ambiciet që kisha për Tiranën. Ligji thotë që mund të kandidosh vetëm 3 herë, kështu që është hera ime e fundit dhe dua vërtetë të mbyll të gjithë këtë paketë të investimeve dhe pastaj ta kaloj në duar të tjera më të sigurta”, theksoi Veliaj.
Pas suksesit me Kopshtin Zoologjik, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i vendosur dhe për transformimin e Kopshtit Botanik.