Ka marrë zgjidhje një nga kërkesat e hershme të banorëve të Rajonit Nr. 3 në Elbasan për rikonstruksionin e rrugës “Xhemal Myhyrdari”. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja inspektuan punimet të cilat po sjellin një transformim për gjithë komunitetin e kësaj zone. “Këtu kemi përsëri një ndërhyrje tjetër shumë të mirë të Bashkisë, gjë që e kemi parë edhe ditët e tjera nëpër inspektimet që kemi bërë. Një banor më tha shumë miqësisht: -“Ka 70-vjet pa u parë kjo ndërhyrje e tillë nga ana infrastrukturore”. Tani fillon një proces që nuk do të ndalet kurrë. Fat i mirë që qëlloi me Gledin kryetar Bashkie. I garantoj banorët që kjo rrugë do bëhet me parametra siç kërkon koha, përfshirë dhe pjesën e kanalizimeve. U them banorëve të mos kenë asnjë shqetësim”, tha ai.
Gjiknuri siguroi banorët se investime të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen. Numri dy i socialistëve u shpreh se mbështetja e qeverisë është garanci për të vijuar këtë punë të mirë të nisur në shërbim të qytetarëve dhe qytetit. “Një gjë është e sigurtë: të gjithë e shohin konkretisht që lagjja po ndryshon. A ka edhe më mirë? Patjetër që ka më mirë. Me Gledin kryetar Bashkie investimet do jenë të vazhdueshme. Gledi nuk është vetëm, ka edhe qeverinë shqiptare nga mbrapa që do e mbështesë siç e ka mbështetur dhe për këtë projekt. Prandaj ne e kemi konfirmuar sërish si kryetar dhe jam i bindur që do të jetë në shërbim të qytetarëve për të përmirësuar edhe ato shqetësime që u ngritën nga banorët”, deklaroi Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit deklaroi se një vëmendje të veçantë po i kushtohet urbanizimit të zonave informale. “Rajoni 3 është një zonë informale me shumë problematika infrastrukturore. Është pjesë e fokusit që kemi për formalizimin e zonave informale. Janë pjesë e pandashme e qytetit. Ky investim është një nga premtimet e mbajtura. Kemi planin e madh për formalizimin e zonave informate ”, tha Llatja, ndërsa nënvizoi se shumë shpejt fillon dhe një projekt i madh për ujin e pijshëm.