Argjentina mundi Kroacinë me rezultatin 3-0 në gjysmëfinalet e Botërorit dhe siguroi biletën për në finale. Por polemikat rreth ndeshjeve vazhdojnë, pasi ka mes atyre që mendojnë se penalltia që ndihmoi argjentinasit për të kaluar në avantazh në këtë sfidë, e transformuar saktësisht nga Mesi, nuk duhej të jepej.

Një prej tyre është edhe Iker Kasijas. Ish-portieri i njohur i Real Madrid dhe Spanjës beson se gjyqtari Daniele Orsato ka vepruar gabim, pasi i ka dhënë një avantazh të paqenë Julian Alvarez në përplasjen me portierin Livakoviç.

“Julian Alvarez bëri një faull ndaj Livakoviçit, jo e kundërta”, shpjegoi fillimisht ai në ”Tëitter”, duke marrë shumë reagime. Si pasojë e tyre, ai vendosi të hapte një sondazh nëse ishe e drejtë që të jepej penallti dhe 54% e mbi 84 mijë pjesëmarrësve votuan për “po”.

Megjithatë, Kasijas nuk ka hequr dorë nga këndvështrimi i tij. Ai ka ripostuar shpjegimin e ish-gjyqtarit ndërkombëtar meksikan, Felipe Ramos Rizo, i cili tregonte arsyen pse të gjithë kishin vepruar gabimin në interpretimin e atij rasti.

“Të dhëna të rëndësishme për të cilat nuk duhej sanksionuar penallti. Këmba e djathtë e portierit është gjithmonë e vendosur në tokë, kontakti është i pashmangshëm për shkak të inercisë së aksionit dhe topit. Asnjëherë nuk kishte pengesë, kontakti është i pashmangshëm”, tregonte ish-gjyqtari meksikan.

“Totalisht dakord”, shkruante Kasijas, duke bërë të qartë se në këtë rast beson që Argjentina është ndihmuar me një vendim të gabuar.