Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç se është keqtrajtuar një qytetar serb afër digës së Ujmanit, duke thënë se zyrtarët policorë vetëm kanë “legjitimuar një person, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”. Petkoviç shkroi të dielën se kishte informuar të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se një punonjës serb ishte keqtrajtuar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, shkruan REL.
“Ia morën çelësat rojës, grisën flamujt. BE-ja duhet ta frenojë ngacmuesin dhe uzurpatorin Kurtin nga veprimet e tij të njëanshme dhe të armatosura me të cilat dëshiron të shkaktojë luftë!” – shkroi Petkoviç.
Por, Policia e Kosovës i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se zyrtarët policorë nuk kanë “keqtrajtuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm kanë legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”.