Policia turke ka dhuruar për policinë shqiptare një donacion që përfshin servera dhe pajisje për integrimin e disa prej programeve të Policisë së Shtetit dhe ruajtjen e të dhënave të tyre.
Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, ka zhvilluar një vizitë pune në Policinë e Shtetit.
Fillimisht, z. Aktaş është pritur në një takim “kokë më kokë” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare, Muhamet Rrumbullaku dhe më pas të dyja delegacionet zhvilluan një takim pune për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e urave të reja në fushat me interes të përbashkët.
“Sipas direktivave të Ministrit të Brendshëm të Republikës së Turqisë, sapo jemi njohur me sulmet kibernetike, kemi dërguar ekipin teknik të punës dhe sot jemi këtu për të bërë dorëzimin e disa pajisjeve të cilat do t’ju vijnë në ndihmë. Ndihma jonë nuk do të ndërpritet këtu. Në të ardhmen, në kuadër të bashkëpunimit tonë, do të kemi dhe suporte akoma më të forta. Bashkëpunimi ynë është shumë i gjerë dhe një ndër fushat që kemi bashkëpunim të fortë është edhe fusha e trajnimeve dhe ofrimit të mundësisë për kurse. Bashkëpunimi do të vazhdojë në shumë fusha, si në luftën kundër terrorizmit, pastrimit të parave, krimit të organizuar”- u shpreh ndër të tjera drejtori i Përgjithshëm i Policisë Turke.
Drejtori i Policisë turke i dorëzoi Rrumbullakut, donacionin që përfshin servera dhe pajisje për integrimin dhe ruajtjen e të dhënave të disa prej sistemeve të Policisë së Shtetit, që u dëmtuan për shkak të sulmit kibernetik.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, gjatë fjalës së tij, është shprehur se pala turke është në gatishmëri për ta mbështetur kurdoherë policinë shqiptare, për cdo çështje apo kërkesë që ajo ka. Ai ka theksuar se do të trajtohet me përparësi çdo kërkesë e palës shqiptare dhe do të dërgohet menjëherë në Ankara, duke qenë se Shqipëria është partnere, mike e Turqisë.
Donacioni i dhuruar nga Policia turke vjen pas shumë donacioneve të tjera të akorduara për Policinë e Shtetit, donacione që përfshijnë automjete, pajisje logjistike dhe uniforma, kryesisht për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe në shumë trajnime e module arsimore të ofruara nga Policia turke për Policinë shqiptare.