Ditën e sotme u prezantua projekti për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano nga studio prestigjioze holandeze “Royal Haskoning DHV”.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se: “ Thënia e vjetër që nga Perandoria Romake se “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” falë Erikut dhe gjithë inxhinierëve do të bëjnë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës. Durrësi ka qenë prej shumë shekujsh i konsideruar si taverna e Adriatikut dhe ka pasur një përmasë të rëndësishme falë rrugës Egnatia që, e ktheu Durrësin në limanin më të rëndësishëm në Mesdhe. Sot jemi në shekullin XXI dhe jemi vonë. Po të kishte nisur kjo punë 30 vite më parë sot do ishim duke marrë frytet. Po kjo punë nis sot sepse janë pjekur kushtet që të kemi një port tregtar të denjë për shekullin e XXI. Ambicia jonë është që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër përtej anës perëndimore dhe Ballkanit Perëndimor. Është Durrësi që duke filluar nga integrimi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes Prishtinës dhe Strugës do t’i japë këtij rajoni një fytyrë dhe kapacitet krejt tjetër.”

“Nga ana tjetër është një port që e çon bashkëpunim rajonal në një nivel tjetër, prandaj e kemi nisur këtë proces paralelisht në radhë të parë me Kosovën, ashtu siç kemi nisur punën me hekurudhën kemi mbështet studimin e fizibilitetit për portin e thatë të Prishtinës dhe kemi bindur BE për të financuar Korridorin e 8.
Dhe lajmi shumë i mirë i Samiti është se ky korridor është zyrtarisht i përfshirë në rrjetin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të Bashkimit Europian” tha më tej Kryeministri.

Porti i ri tregtar i Durrësit do të ketë një trefishim të kapacitetit për kontejnerët, ku nga 170.000 njësi që mban Porti i Durrësit aktualisht, në vendndodhjen e re do ketë një kapacitet përpunimi për plot 500.000 njësi.

Ky investim do të realizohet në tre faza, me fazën e parë që nis vitin tjetër me një shumë prej 390 milionë euro, ku 46% e vlerës së investimit do të jetë kontribut nga qeveria, ndërsa 54% nga kompania që do të fitojë garën ndërkombëtare, përmes një kredie që do të rimbursohet nga Autoriteti Portual pa rënduar buxhetin e shtetit.