Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, prezantoi të hënën projektin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Balluku tha se investimi do të jetë krejtësisht i ri, pa asnjë lidhje me portin aktual të Durrësit, i konceptuar si një kompleks portual.

Një investim prej 390 mln eurosh, porti i ri tregtar pritet të punësojë 1500 vetë dhe siç tha ministrja Balluku, do të jetë një pronë e përbashkët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“390 mln euro investim ku pritet të punësohen 1500 vetë. Do ketë një hekurudhë të brendshme që lidh terminalin dhe 8 km hekurudhë që e lidh Porto Romanon dhe Portin e Durrësit me hekurudhën Tiranë-Durrës. 46 për qind e investimi do të jetë nga qeveria shqiptare, ndërsa pjesa tjetër nga kompania ndërtuese që do të dalë përmes një gare ndërkombëtare”, tha Balluku.

Ministrja u shpreh se gara ndërkombëtare për kompanisë ndërtuese do të hapet fund të janarit 2023 dhe do të mbyllet në korrik të po atij vitit.