Katari prej ditësh është në qendër të vëmendjes dhe përveç futbollit, njerëzve u interesojnë edhe detaje, të tilla si rrugët, të cilat janë me ngjyrë të kaltër.
Për shkak të temperaturave të larta në Katar, jeta ndonjëherë është e padurueshme. Kjo është arsyeja pse ata vendosën të përdorin teknologji inovative në Doha.
Një prej tyre është asfalti me ngjyrë të kaltër, pra një shtresë e trashë një milimetër e ngjyrës së kaltër, e cila bën të mundur uljen e temperaturave të sipërfaqes deri në 20 gradë, transmeton Qataraliving.
Dhe kështu, në projektin pilot, asfalti i zi u rilye. 200 metrat e parë u përdorën si një lloj eksperimenti në të cilin sensorët monitoruan ndryshimin e temperaturës për 18 muaj. Temperatura ka rënë nga maksimumi 69 gradë me më shumë se 10 gradë në asfaltin ngjyrë të kaltër.
Në qytet u përpoqën me ngjyra të tjera, jeshile, e kuqe, vjollcë, por e kaltra dha rezultatet më të mira.
Një projekt i ngjashëm u vu në zbatim në Los Anxhelos, ku rrugët dhe disa kënde lojërash u mbuluan me një shtresë të veçantë. Efekti i uljes së ngrohjes ishte i dukshëm dhe arriti në rreth shtatë gradë.