Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga rruga e re që të çon drejt aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Rama shprehet se ky aks rrugor e hapur që prej ditës së djeshme për qarkullimin e automjeteve, lehtëson lëvizjen e automjeteve dhe iu vjen në ndihmë banorëve të zonës.

Rruga e re krijon një unazë qarkulluese në Aeroportin e Rinasit duke lehtësuar të gjithë trafikun që krijohet veçanërisht gjatë sezonit veror.

Lëvizja drejt aeroportit tashmë do të bëhet edhe nëpërmjet një rruge të re alternative. Aksi i ri i nis nga kthesa e Kasharit dhe përfundon në hyrje të aeroportit duke shmangur trafikun e automjeteve që krijohej në nyjën e bustit të “Nënë Terezës”.

Aeroporti i Rinasit është një nga dy aeroportet në rritje gjatë vitit 2022 ku vetëm deri në 30 tetor të këtij numri i pasagjerëve ka arritur në 4.4 milionë.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha një ditë më parë se ka fluturime që kalojnë mbi 26 mijë për 10 muajt e parë të vitit dhe në fund të vitit pritet të ketë 38 mijë.

Referuar këtij trendi, ajo tha se parashikohet që deri në fund të vitit të kemi 5.2 milionë pasagjerë.

Drejtori i ARRSH-së, Ervis Berberi ka sqaruar se kjo është një dalje e dedikuar vetëm për aeroportin me një gjerësi 5 metra.

I gjithë aksi i ri rrugor i hapur është një gjurmë e re dhe lidhet edhe me një segment tjetër prej 400 metrash, një rrugë ekzistuese mbi të cilën ARRSH ka ndërhyrë për rikonstruksionin e saj.

Ndërkaq në të dyja anët e rrugës kanë filluar të krijohen biznese edhe parkinge të tjera për t’i ardhur në ndihmë fluksit të lartë të trafikut.