Nga Ardit Rada
Viti që po lëmë pas ka sukseset, dështimet dhe boshllëqet e tij. Që nga çelja e negociatave, tek grushti ndaj Sali Berishës e gjer tek Samiti i BE-së në Tiranë. Megjithatë më tepër sesa një bilanc, nevojitet analiza e ftohtë e asaj se për çfarë ka nevojë Shqipëria në të ardhmen e afërt. Sepse në plan afatgjatë, siç ka thënë edhe Kayenes: “Jemi të gjithë të vdekur”. Pra lipset nevoja të flasim sot për sot, e jo sot për votimet 2023, apo ato të vitit 2025. Dhe kleçka e madhe qëndron tek opozita, si për zhvillimin e ngjarjeve politike, ashtu edhe për ndryshimet shoqërore që duhet të ndodhin.
Opozita, si në çdo vend të botës, është i vetmi instrument që përmes reagimeve dhe qendrimeve të veta duhet t’i sigurojë qytetarëve një ndryshim në planin afatshkurtër. Por çfarë ndodh teksa shumëkush përpiqet të gjejë një politikë shpresëdhënëse? Sali Berisha mbetet ende një person i shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe kjo nuk është diçka e papërfillshme. Ndryshe s’do të na bënin përshtypje shumë e shumë të tjerë nga rruzulli në listat e zeza të perëndimit. Megjithatë ai bën sikur është në rrugë të mbarë. Domethënë ka hedhur sekretarin e Shtetit në një gjyq fantazmë dhe pas 1 viti e gjysmë s’dihet asgjë rreth fatit të atij gjyqi.
Ata 10 gazetarë që i ka akredituar sikur t’i kishte militantë dhe e ndjekin në çdo seancë terapie (dmth konferencë shtypi) nuk guxojnë ta pyesin: “Zoti Sali, në çfarë faze është ai gjyqi yt? Ke ndonjë shkresë të na e japësh? A ndonjë kontakt të avokatit, se flasim vetë?”. Dhe kjo është drama e parë përse ka nevojë të reformohet opozita.
Drama e dytë është se përse nuk e pyesin: “Zoti Sali, si do t’i dërgosh ti letër DASH-it dhe presidentit Biden për çmimin që Amerika i ka dhënë Ardian Dvoranit, kur ti i ke hedhur në gjyq dhe akuzon se Soros ka blerë me para presidentin e SHBA për t’i dhënë një dekoratë bishtit të kavallit?”.
Sot, PD pretendon të shkojë në zgjedhje në koalicion me aleatët e saj tradicionalë. Sa për spërdredhjet e Ilir Metës, nuk habitet askush që prej vitit 2004. As për Kryemadhin që së bashku me të shoqin luajtën me Lulzim Bashën lojën ‘polic i mirë, polic i keq’. Problemi nuk është se si luajnë këta me njëri tjetrin, por pse këta mendojnë që njerëzit janë idiotë, siç ishin këta para se të njihnin lekun. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, sot hera herës shfaqen duke kërcyer me të rinj në plazhe, me kitare ne dorë, me syze nën vetull. Herë duken si një kombinim Olldashi-Berisha-Basha dhe Deep Purple kur e ftuan në Shqipëri. Herë si Berisha pasi hëngri grushtin turinjve nga një budalla ditën me diell.
Se si do ta zgjidhin me njëri-tjetrin, nuk ka detyrë ta mendojë populli për këta. Jo se e pyesin popullin, por duhet të rrijnë nja 3 muaj pa dalë në konferenca dhe të thellohen. Sepse nuk do të mjaftonte as opsioni sikur të mos ishin as Berisha dhe as Meta në krye. Me pak fjalë, a i keni menduar ndonjëherë aleatët e tyre? Shihni me kujdes: Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Nard Ndoka, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi dhe nja dy ballistë. Pra këtu nuk është çështja se s’do të ndryshojë Sali Berisha, “kutia e zezë” e çdo krimi shtetëror nga 1992 deri në 1998. Njeriu që di ku ndodhen kockat e Remzi Hoxhës dhe motivet e vrasjes së Azem Hajdarit. Këtu nuk është çështja e vullnetit të Ilir Metës, njeriut më të pushtetshëm që ka pasur vendi në 30 vite, që s’ka lënë post pa provuar dhe që i vetmi ndryshim në 10 vite është se ra 50 kile dhe nga 19 në 3 deputetë.
Vendi në vitin 2023 ka nevojë urgjente për një opozitë të pranueshme ndërkombëtarisht, që popullit i jep alternativa si nga emrat e zyrtarëve të së nesërmes ashtu edhe duke u distancuar nga e shkuara e errët e saj. Një opozitë që emra kryesorë të saj nuk ka 12 ish-ministra që ky vend ua dëgjoi pordhët shumë gjatë. Nga Petrit Vasili dhe Edmond Panariti, tek Flamur Noka, Aldo Bumçi, Tritan Shehu etj. Por emra që në mos të rinj në moshë, së paku me emër të mirë në karrierat e tyre profesionale.
Kemi të bëjmë me një situatë parimore, që kërkon ndryshimin e të gjithë opozitës, nga koka te bishti. Në qofshin aq kokëfortë sa të mos ndryshojnë vetë, elektoratit opozitar i lipset të kërkojë zgjedhjen e opozitës para zgjedhjeve të 14 Majit. Qysh e tek, nuk e di. Po meqenëse kanë organizm aq të përkryer sa të paguanin stadiumin “Air Albania” me kontribute vullnetare për Kuvendin e Berishës, le ta bëjnë sërish në emër të ndryshimit për mirë dhe të bashkimit.
Se në vafshin në zgjedhje, me Berishën në listat e partisë së Metës, dhe me grekun e çamin bashkë në koalicion…
Janë ‘të vdekur’ në çdo plan.