Duke qenë se kemi hyrë zyrtarisht në stinën e dimrit edhe për këtë fundjavë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e masave ajrore të lagështa me origjinë jugperëndimore.
Sinoptikanët e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak thonë se për ditën e Shtunë moti nis me vranësira mesatare deri të dendura por edhe intervale të herëpashershme dhe afatshkurtra me diell. Duke filluar nga orët e pasdites mot i vranët në të gjithë territorin ndërsa nisin reshjet e shiut me intensitet të ulët përgjatë ultësirës perëndimore.
Në orët e mbrëmjes reshjet me intensitet të ulët deri mesatar shtrihen në pjesën më të madhe të vendit.
Kjo situatë do të vijojë edhe për ditën e Diel ku reshjet e shiut të herëpashershme do të jenë prezente në pjesën më të madhe të territorit me intensitet kryesisht mesatar dhe lokalisht në veriperëndim dhe jug në formën e rrebesheve afatshkurtra.
Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 3-8m/s, e cila hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 12-18m/s. Valëzimi në dete i forcës nga 2-6 ballë.